Ministria e Brendshme përmes një deklarate për mediat, ka reaguar ndaj raportit të UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin) lidhur me drogën, sipas të cilit Shqipëria radhitej si vend kryesor i prodhimit. Në deklaratën e MB thuhet se raporti i referohet periudhës 2009-2012 dhe jo vitit 2016.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme:
Shqipëria në Raportin e UNODC për drogën i referohet periudhës 2009–2012, ja faktet Raporti i UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimi) për drogën, parashtron shifrat krahasimore të kultivimit të narkotikëve në mbarë globin.
Megjithatë ai nuk përshkruan dhe paraqet masat e marra nga qeveritë, në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Në vitin 2016 është hera e parë që Raporti i UNODC-së ka shtuar elementin e të ardhurave të përfituara nga rrjetet kriminale nga droga, krahasuar me GDP-në e çdo vendi.
Burimi i matjes së përfitimit të paligjshëm në krahasim me GDP-në është studimi i vitit 2015 i UNODC, “Drug Money: the illicit proceeds of opiates trafficked on the Balkan route 2015”, i cili bazohet në të dhënat e periudhës 2009 deri në 2012. Përfitimi nga ky aktivitet i jashtëligjshëm në Shqipëri për vitet 2009-2012 është sa 2,6% e GDP-së i asaj periudhe. Referuar Raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri në periudhën 2009 – 2012 trafikantët përfitonin deri në 392 milionë dollarë çdo vit, nga trafiku i drogës./tvklan.al