Edhe kjo seancë e fundit plenare për këtë sesion, e ndarë në dy ditë, nuk kaloi pa debate mes mazhorancës dhe opozitës. Shkak për përplasjen mes palëve u bë Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të cilin opozita kërkoi që të premten, kreu i këtij institucioni Arben Shehu të bëjë prezantimin e raportit.
“Keni shkelur çdo afat të miratuar nga seanca plenare. Mundësoni që Komisioni Ekonomisë të mblidhet sot dhe të futni dhe të përfshini në rendin e ditës raportimin e KLSH-së”, u shpreh Gazment Bardhi.
Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi tha se është ende në pritje të një përgjigje nga ana e KLSH-së në lidhje me skandalin e Onkologjikut.
“S’ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj. Po vijon përgatitja për projektrezolutën e KLSH”, tha Eduart Shalsi.
Për opozitën procedura e ndjekur nga kryetarja e Kuvendit dhe maxhoranca socialiste është në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit.
“Unë e kuptoj që veprimtaria e KLSH-së mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në këtë sallë për shkak të shkeljeve të dyshuara korruptive. Ka qenë KLSH që ka denoncuar aferën e inceneratorëve, skandalin tek Onkologjiku”, u shpreh Gazment Bardhi.
“Sapo ta ketë gati Komisioni i Ekonomisë do e fusim”, tha Lindita Nikolla.
E teksa raporti i KLSH-së i ndau, ngritja e nënkomisionit për Kontrollin e Sektorit Publik i bashkoi, ku opozita mori drejtimin e tij përmes deputetes Emilja Koliqi.
Tv Klan