Kryeministri, Edi Rama mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan ka folur lidhur me reagimin e tij ndaj gazetares Ambrozia Meta pak ditë më pare. Rama u shpreh se i gjithë reagimi ka qenë totalisht miqësor dhe nuk e ka imagjinuar se kjo gjë do të merrte përmasa të tilla.
Kryeministri theksoi se ‘gjithë stërzmadhimi i atij gjesti miqësor tregon se nuk bëhet fjalë për një njeri që është i paqartë për atë që ka ndodhur, por bëhet fjalë për një individ, gazetare që ka ekzagjeruar në mënyrë të qëllimshme reagimin e vet”.
Kryeministri Edi Rama: Thashë që unë prej kohësh kam hequr dorë edhe nga ky konfrontimi me fjalë me gazetarët dhe cilësimi i mediave si kazanë dhe humbja e durimit sepse kam mësuar se në fund të ditës nuk ndryshoj dot gjë. Ashtu sikundër kam hequr dorë edhe me debatet me vetë ushqyesit e kësaj kulture, por unë nuk heq dorë nga fakti që kjo është një kulturë shumë e ulët dhe kështu nuk bëhet gazetari dhe jepet shembulli më i keq se si dy njerëz që janë përpara publikut komunikojnë.
Blendi Fevziu: Pse nuk e merrni në telefon t’a sqaroni sepse etika kështu e do?
Kryeministri Edi Rama: Sepse gjithë stërzmadhimi i atij gjesti miqësor tregon se nuk bëhet fjalë për një njeri që është i paqartë për atë që ka ndodhur, por bëhet fjalë për një individ, gazetare që ka ekzagjeruar në mënyrë të qëllimshme reagimin e vet për të prodhuar gjithë këtë që prodhoj. Unë mund të telefonoj këdoqoft që keqkupton një gjest timin të bërë në mënyrë të sinqertë, por unë nuk mund të telefonoj aktorë. Unë kam shumë të drejtë, jo të gjykoj pyetje se nuk ka asnjë rast që unë kam gjykuar pyetje prej kohësh tashmë...
Blendi Fevziu: Sa herë jeni përplasur me gazetaren në fjalë?
Kryeministri Edi Rama: Ato që nxore i përkasin një kohe të mëparshme ku unë duke qenë vetë një njeri që vij nga shtypi i lirë, nga lufta për lirinë e fjalës ku mund të kisha humbur jetën për fjalën e lirë, nuk ndaja dot këtë pjesë të vetes me atë të kryeministrit. Tani e kam ndarë ka kohë.
Blendi Fevziu: Pra ju nuk shihni asnjë shqetësim në këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Unë shoh një shqetësim. Shoh manipulimin e publikut përmes një aktrimi ekzagjërues në maksimum të diçkaje që ishte komplet miqësore që nuk u realizua sepse tërheqja dhe klithma ishte sikur aty ndodhi ndonjë goditje.
Blendi Fevziu: Po përse nuk ndalove në atë moment dhe ta sqaroje me zonjën në vend.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk ndjeva se aty kishte diçka për tu diskutuar dhe nuk e imagjinova që kjo gjë do të merrte proporcione të tilla nga nxitësit e asaj kulture që prodhon këtë lloj gazetarie.
Gjithashtu Rama shtoi se me ngjarjen që ka ndodhur ka nxjerrë mësimet e veta, por nuk kërkon ndjesë ndaj gazetares pasi e gjithë ngjarja është manipuluar teksa thekson se reagimi i tij ka qenë totalisht miqësor.
Kryeministri Edi Rama: Po të them që në oborrin e selisë të PS pjesën më të madhe të kohës kur nuk ka zgjedhje gazetarët vijnë pa u lajmëruar dhe unë ndalem dhe iu them në respektin tuaj unë po ndalem dhe t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja. Me këtë që ndodhi edhe unë kam nxjerrë mësimin tim, por ndjesën duhet ta harrosh ti dhe mbi të gjitha ajo gazetare sepse ka manipuluar publikun duke aktruar sikur ishte në një agresion ndërkohë që reagimi ishte totalisht miqësor. Nëse strategjia ime kur vij në një bisedë me ty është të të ndërpres ajo për mua nuk është strategji, por transmetimi i një kulture të dobët. Unë kam detyrim t’i përgjigjem çdo pyetje, por kur jap përgjigje të lihem të jap përgjigje. Nuk është ndonjëherë, është çdoherë dhe është e përsëritur nga i njëjti individ misionar i telekomaduar nga një burim informacioni që prodhon lajme të reme në mënyrë të vazhdueshme./tvklan.al