Ministrja e Sporteve e Spanjës, Pilar Alegria, kërkon që klubet dhe institucionet të “zhdukin” ofendimet raciste në stadiumet e vendit.
Reagimi i saj erdhi pas incidentit të ndodhur në “Bernabeu” nga ana e tifozëve kundrejt lojtarëve të Barcelonës në sfidën “El Clasico”. Sipas ministres, këto ofendime janë të patolerueshme dhe për t’i luftuar duhen aplikuar “sanksione shembullore”.
Mediat spanjolle raportuan se sulmuesi 17-vjeçar i blauganave, Lamine Yamal, i cili është me origjinë nga Guinea Ekuatoriale dhe Maroku, por që luan për Spanjën ishte ndër ata që ishin në qendër të ofendimeve. Barcelona triumfoi në “Bernabeu” 4-0 kundër Realit dhe 17-vjeçari ishte një ndër golashënuesit.
“Pikë së pari e dënoj këtë sjellje, sepse këto ofendime dhe sjellje bien ndesh me vlerat e sportit. Do të duhen disa ditë pasi ne duhet të analizojmë dhe të zbulojmë se kush janë njerëzit e përfshirë dhe më pas do të dënojmë autorët. Por besoj se është e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë punë, në mënyrë që institucionet dhe klubet të zhdukin këtë lloj sjelljeje”, u shpreh ministrja spanjolle Pilar Alegria.
Edhe Këshilli i Lartë i Sporteve në Spanjë dënoi incidentet . Reagime pati edhe nga Reali, Barcelona e institucione të tjera në vend, të cilat e bënë të qartë se janë kundër të tilla rasteve e kërkojë që fenomeni të luftohet.
Klan News