Politikanët boshnjakë dhe shoqatat e familjarëve të viktimave të genocidit në Srebrenicë kanë mirëpritur miratimin e rezolutës për genocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, e cilësoi të “dështuar” këtë rezolutë”.
Rezoluta, që u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Genocidit në Srebrenicë.
Ndër të tjera, rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të genocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për genocidin”.
Nikshiç: Rezoluta për genocidin në Srebrenicë, akt njerëzor dhe civilizues
Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Nermin Nikshiç, tha se rezoluta për genocidin në Srebrenicë është një akt njerëzor dhe civilizues.
“Sot, keqbërësve, kriminelëve dhe asaj pjese të njerëzimit që ende nuk e di dallimin mes së mirës dhe së keqes, iu dha një mësim i rëndësishëm”, tha ai.
Sipas Nikshiç, miratimi i rezolutës dërgoi një mesazh të fuqishëm njerëzor dhe politik ndaj individëve që ikin nga përgjegjësia.
“U arrit një konsensus politik”
Ndërkaq, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Zhellko Komshiç, tha se me miratimin e kësaj rezolute “u arrit një konsensus politik” për genocidin e kryer në Srebrenicë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai tha se procesi që kishte nisur me aktakuzën për genocid, që vazhdoi me shpalljen e aktgjykimeve të formës së prerë para gjykatave ndërkombëtare dhe në fund u mbyll me miratimin e rezolutës në OKB.
Por, presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, e cilësoi si të “dështuar” rezolutën, pasi tha se nuk arriti të marrë votat e shumicës të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Afër 110 shtete nuk votuan, ose ishin kundër, ose abstenuan. Kjo është rezolutë e dështuar dhe do të thotë që OKB-ja nuk e ka mbështetur”, shkroi Dodik në X.
У Генералној скупштини УН нису успјели да имају ни натполовичну већину, што говори да је ово пропала резолуција о Сребреници.
— Милорад Додик (@MiloradDodik) May 23, 2024
Близу 110 земаља није гласало или је било против или уздржано.
Ово је пропала резолуција и то значи да УН нису то подржале. Њихов наум да Србима наметну… pic.twitter.com/rF3T5hcFkX
“Fitore e të vërtetës dhe drejtësisë”
Ndërkaq, shoqata e Nënave të Srebrenicën e quajti “fitore e të vërtetës dhe drejtësisë”, miratimin e rezolutës për genocidin në Srebrenicë nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj.
Kjo shoqatë po ashtu falënderoi të gjitha shtetet që e mbështetën këtë rezolutë, e cila u iniciua nga Gjermania dhe Ruanda, dhe u mbështet nga shumë shtete të tjera.
Ndërkaq, Ambasada amerikane në Sarajevë, tha se mohimet e vazhdueshme të gjenocidit në Srebrenicë i bëjnë “të rëndësishme dhe urgjente” kujtimin ndërkombëtar të ngjarjeve të vitit 1995.
“Rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar dhe nuk vendos përgjegjësi kolektive ndaj asnjë grupi të njerëzve. Rezoluta e bën të qartë se ne të gjithë e kemi për obligim që të pranojmë faktet, të mësojmë të vërtetën, të nderojmë viktimat, të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për të ndjekur penalisht keqbërësit. Këta hapa janë thelbësorë për pajtimin”, tha kjo ambasadë përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Gjermania dhe Ruanda ishin sponsorizueset kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj. Në Srebrenicë, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç./REL