Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Arrestimi i shefit të SHISH për portin e Durrësit Ramadan Paja ka ngjallur reagime të ndryshme nga Ministria e Rendit dhe Prokuroria. Paja u arrestua të njëjtën ditë kur u ekzekutuan edhe urdhër-arrestet për disa shtetas shqiptarë dhe italianë për të dy vendet si të përfshirë në trafikun e të miturve.

Zyrtari shqiptar u prangos në Pescara të Italisë, me mirëkuptimin e palës shqiptare e cila e akuzon atë për shpërdorim detyre. Ndërkohë në banesën e Pajës në Shqipëri, policia gjeti shumën prej 15 mijë eurosh, që ka shtuar dyshimet tek hetuesit.

Pak ditë më parë zoti paja u soll në Shqipëri, sipas burimeve të prokurorisë, pasi veprën penale të shpërdorimit të detyrës e ka konsumuar këtu, pikërisht në portin e Durrësit, duke lejuar kalimin e të implikuarëve të rrjetit bashkë me të miturit drejt Italisë. Gjykata e rrethit të Durrësit ia ndryshoi masën e sigurisë, Ramadan Pajës, nga burg pa afat në arrest shtëpie. Megjithatë Ministri i Rendit Luan Rama reagoi duke deklaruar se arrestimi është kryer gabimisht.

Luan Rama:- “Oficeri i SHISH-it është kthyer në Shqipëri dhe i është kërkuar ndjesë, sepse është arrestuar pa të drejtë nga policia italiane”.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e rrethit të Durrësit, konfirmojnë se nuk është rrëzuar akuza ndaj të pandehurit Paja. Ai po vazhdon të procedohet penalisht, por me një masë më të lehtë sigurie, thanë burimet në prokurorinë e Durrësit. Ndërkohë burime jo zyrtare shprehen se kreu i SHIK-ut për portin e Durrësit mund të kthehet në detyrë, gjë e cila kundërshtohet nga akuza për aq kohë sa gjykata nuk e ka dhënë vendimin për fajësinë ose jo të tij./tvklan.al