Lajme Arkiva 2003

Gaqo Apostoli: Këto zgjedhje janë treguar të qeta, megjithëse brenda tyre ka pasur presione nga më të ndryshmet. Unë dua të them se, duke i qëndruar asaj që në thelb ka qenë polarizimi politik shikojmë se në 3-4 komuna ku Partia Socialdemokrate ose kandidati i saj ka qenë fitues deri në qendrën e fundit të votimit, në qendrën e fundit e cila shtyhej, kam parasysh këto Potomin, kam parasysh një komunë tjetër të Niklës që ka qenë përpara kandidati jonë, në qendrën e fundit janë bërë parregullsi dhe kanë dalë me 6 vota kandidati i Partisë Socialiste të cilat do ti nënshtrohen rinumërimit. Deri më tani ne jemi fitues në 8 komuna, jemi në mjaft komuna dhe bashki fituese me kandidatë të përbashkët me Partinë Socialiste, ku në disa prej tyre ata nuk e kanë shkruajtur emrin e Partisë Socialdemokrate si rezultat i një megalomanie politike.

Nikollë Lesi: Kam kënaqësinë të deklaroj se Partia Demokristiane në këto zgjedhje realizoi objektivat e saj. Kemi marrë komunën e Velipojës në Shkodër, komunën e Dajçit në Zadrimë, komunën e Fierzës në Pukë, komunën e Kukurit në Gramsh, si dhe kemi disa komuna të cilat i kemi ankimuar në komisionin qendror të Zgjedhjeve, pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë përdorur dhunën dhe fletëvotimi false të cilat i kemi kontestuar sot. Pra edhe njëherë, për herë të parë në 13 vite, Partia Demokraistiane shënon fort rritje dhe është futur në partitë kryesore të Shqipërisë.

Gazetarja: Sipas partisë që ju përfaqësoni, si ka qenë ky proces zgjedhor?

Genc Pollo: Procesi zgjedhor ka qenë më i mirë se të tjerët po të përjashtosh 2 gjëra shumë të rëndësishme, listat e zgjedhësve dhe kontrollimin dhe numërimin e votave nga PS/PD-ja. Kemi pasur probleme me këtë të fundit. Vëzhguesit tanë nuk kanë arritur të jenë të pranishëm dhe të verifikojnë numërimin e votës për partinë tonë, ndërkohë që kemi pasur në qytetet e mëdha Tiranë, Durrës etj., probleme me listat e votimi, aktivistët tanë kanë raportuar që votuesit tanë, vetë ata nuk gjenin emrat në qendrën e votimit, Partia Demokrate e Re nga të dhënat paraprake që kemi është konfirmuar përsëri si forcë e tretë në vend dhe kemi marrë 3 komuna, në Tepelenë  një dhe në Pukë dy të tjera.

Ekrem Spahia: Partia Lëvizja e Legalitetit si të gjitha partitë duke përfshirë edhe të gjithë elektoratin shqiptar i kanë pritur zgjedhjet e 12 tetorit që të shënonin një progres, por fatkeqësisht me mijëra shqiptarë nuk votuan si rezultat i mungesës së emrit të tyre në listat e zgjedhësve dhe kjo është një nga mangësitë e kodit zgjedhor që ne e kemi kontestuar. Por me të gjitha disavantazhet që ka pasur Partia Lëvizja e Legalitetit, ne jemi të kënaqur nga rezultati i djeshëm si parti sepse ne arritëm që të fitonim 4 komuna dhe konkretisht komunën e Derjanit, të Lisit, të Rukajt në rrethin e Matit dhe komunën e Boshtevcicës në rrethin e Kukësit.

Ligoraq Karamelo: Zgjedhjet e ditës së djeshme treguan se ende në Shqipëri jemi larg standardeve për të patur zgjedhje të pakontestueshme. Tashmë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me gjithë këto që përmenda më sipër ka fituar 3 bashki dhe 8 komuna në të cilat konkretisht këto janë komuna Kastrat në Malësinë e madhe, komuna Ulëz në Mat, komuna Mollas në Korçë, komuna e Pogonit në Gjirokastër, komuna e Finiqit dhe Mesopotamit në Delvinë, komuna e Livadhjas në Sarandë, si edhe bashkitë, Bashkia e Himarës, Bashkia e Selenicës në Vlorë dhe Bashkia e Poliçanit në Berat./tvklan.al