Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar publikisht pas vendimit të KQZ që e çon në 9 numrin e mandateve të fituara nga kjo forcë politike për qarkun e Fierit.
Rama tha se vendimi tregoi vërtetësinë e qëndrimit të partisë Socialiste mbi këtë çështje e cila sikundër theksoi ai ishte mbajtur e fshehtë me dhunë. Por bashkë me Fierin socialistët pretendojnë rezultat ndryshe nga ai i deklaruar deri tani dhe për Beratin Tiranën dhe Shkodrën.
Edi Rama: “Shqipëria pa dje të vërtetën e fshehur me dhunë për dy javë rresht në kutitë e marra nga Sali Berisha në Fier. Hetimi i Beratit, Shkodrës dhe Tiranës bazuar në të drejtën e padiskutueshme që na jep ligji, është sot detyrimi ynë elementar ndaj një popullit të tërë që nuk mundet të shkelet në personalitetin e tij dhe kontributi ynë i pashmangshëm për demokracinë në këtë moment shumë delikat kur duhet të vendoset nëse vota është e drejta e themelore e qytetarëve apo do të bëhet prona e patundshme e pushtetarëve. Populli i Beratit sot ashtu i ai i Fierit dje duhet të lexojnë në dritën e diellit vendimin e tij të 28 qershorit dhe KQZ-ja e Sali Berishës nuk duhet të guxojë ti mohojë PS të drejtën ligjore për të kërkuar mandatin e 5 në Berat përmes rivlerësimit të të gjitha votave të pavlefshme, numri i të cilave në atë qark është më i madhi në gjithë Shqipërinë për qendër votimi dhe rinumërimit të një sërë kutish të dyshuara. 28 qershori nuk ka sjellë një mandat të ri për Sali Berishën, kjo tani më është përfundimisht e qartë.”
Si përgjigje ndaj interesit të gazetarëve kryesocialisti tha se partia Socialiste nuk do të njohë asnjë rezultat zgjedhor të imponuar.
Kjo si kusht ndaj qëndrimit që do të mbajë KQZ për tre qarqet e tjerë për të cilat selia rozë ka depozituar gjithashtu ankimim.
Edi Rama: “Në mënyrën më absolute ne nuk do të pranojmë rezultat të imponuar në rrugën e shkeljes së ligjit që tani më është bërë rruga ku shkel orë pas ore KQZ-ja e Sali Berishës.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi