Pas lajmit të arrestimit të tij, me urdhër të prokurorisë, ka reaguar në Facebook Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Në një status të gjatë ai shkruan:
“E mirëpres ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe do të provoj gjithë pafajësinë time për këtë poshtërsi. Kam angazhuar avokatë të njohur italianë që janë skandalizuar me gjithë këtë sulm ordinerësh ndaj meje. Ata më kanë siguruar se kjo është diçka e pabesueshme dhe betejën sado e gjatë të jetë do ta fitojmë.
Prokuroria nuk ka provuar asgjë përveç atyre që kam deklaruar vetë. Më akuzojnë për një fakt që e kam ekspozuar vetë publikisht dhe që për drejtësine italiane është “nul”.
Me akuzojnë për dëbime ku jam dëbuar si mijëra emigrantë të tjerë në tufë po ku nuk kam bërë asnjë gjyq dhe s’kam marrë asnjë dënim.
Le të më akuzojnë për çfarë të duan tjetër. Ky arrestim është kriminal, sepse nuk mund të arrestosh njeriun për deklarim të rreme pa e provuar që ka qenë i tillë. S’ka problem unë jam mësuar me padrejtësira dhe kam lindur për t’i mbijetuar çdo padrejtësie.
E sigurtë është që Kavajën Sali Berisha nuk ka për ta marrë me edhe sikur shtatë pashë nën dhe të më fusin mashat e tij.
Këtu do jemi!/tvklan.al