Merr fund regjimi 24-vjeçar i Bashar al-Asadit. Banorët e Damaskut dolën për të festuar rrugëve pasi rebelët shpallën në televizionin shtetëror, mbërritjen në kryeqytetin e Sirisë.
Ashtu si në qytetet e tjera, ushtria siriane nuk bëri rezistencë as në Damask. Këto filmime tregojnë uniforma të hedhura rrugëve dhe automjete të braktisura ushtarake.
Rebelët hynë në pallatin presidencial dhe e hapën atë për publikun. Ndërsa Asad dhe familja mendohet të jenë arratisur jashtë vendit. Militantët i shkuan në shtëpi kryeministrit Mohamed Gazi al-Xhalali për t’i kërkuar të qëndrojë në krye të një qeverie tranzicioni.
Të Shtunën, rebelët hynë edhe në qytetin tjetër të madh Homsin.
Rebelët e komanduar nga ekstremistët sunitë të Hajat Tahrir al-Shamit rrëzuan për 2 javë të vetmin regjim që i rezistoi me dhunë dhe gjak “Pranverës arabe” pas 2011-ës, ndërsa rusë dhe iranianë nuk u aktivizuan shumë për të mbrojtur aleatin e tyre. Pikëpyetje tashmë ngrihen se ç’drejtim do të marrë vendi dhe sa rrezikohet një tjetër përshkallëzim dhune në Lindjen e Mesme të trazuar.
Tv Klan