Nga Nju Jorku gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në SHBA, Kryeministri Edi Rama ka thënë se 11 vite më parë para se të merrnin pushtetin socialistët, Shqipëria lëngonte nga një sërë problemesh.
Kryeministri renditi disa të tilla, që nga shëndetesia, administrata publike, bujqësia etj.
“Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve për shkak të sistemit të sterilizimit të shkatërruar. Autoambulancat fikeshin në rrurgë. Mesatarja vjetore e vrasjeve ishte 1 vrasje në çdo 3 ditë. Korrupsioni ishte i pranishëm në çdo kontakt të qytetarit me shtetin.
Turizmi ishte një sektor që mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Tiranës i kishte ndalur njësoj si sahati edhe koha e zhvillimit.
Kanalet ujitëse dhe kulluese humbnin çdo vit mes ferrave dhe plehrave.
Borxhi publik ishte jashtë kontrollit dhe kishte kaluar tavanin e 80%. Drejtësia ishte një pazar i madh ku e drejta shitej e blihej si mall dhe pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim e emrit Shqipëri në çdo raport ndërkombëtar. Sot realiteti i zymtë i një dekade më parë është përmbysur në çdo sektor.
Në vetëm 1 dekadë kemi dyfishuar PPB, duke shënuar rritjen më të lartë relative në rajon, kemi rritur pagën minimale dhe pagën mesatare që ka arritur këtë vit në 900 Euro. Jemi të parët në rajon dhe në rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë. Sot jemi mbi mesataren e rajonit me 9400 Dollarë për frymë dhe renditemi të tretë pas Serbisë dhe Malit të Zi që këtë transformim e kanë filluar shumë vite më parë se ne.
Pagat reale në sektorin privat janë sot plotësisht konkurruese me rajonin dhe në sektorin e turizmit janë thuajse në të njëjtin nivel me Greqinë. Sot kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse të historisë sonë të parën që prej themelit të shtetit shqiptar në vitin 1912”.
Por si arritjen më të madhe, që zuri edhe peshën e fjalimit të Ramës, Kryeministri renditi Reformën në Drejtësi, që sipas tij sot njerëz me pushtet të profilit të lartë politik janë përballur me ligjin.
“Njerëz të veshur me pushtet politik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri, qoftë në opozitë. Kurrë më parë një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar dhe as dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika.
Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon drejtësinë ka marrë fund dhe unë jam krenar që me votën e shqiptarëve udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE përpara se sa të hynte në BE.
Jam krenar që me kurajo ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri nuk e bëri dot. I hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia. Dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësa e re po jep edhe në vetë radhët tona ku askush nuk është më i paprekshëm. Ky është investimi më i madh politik i PS të shekullit të ri”, theksoi Kryeministri Edi Rama.