Paulo Dybala bëri bujë të madhe me një vendim të tij pak ditë më parë. Futbollisti argjentinas, refuzoi një kontratë 3-vjeçare nga Arabia Saudite, nga e cila do të përfitonte plot 75 milionë euro.

Në një intervistë të dhënë për “Sky Sport Italia”, Dybala zbuloi arsyen, përse vendosi të mos transferohet tek Al Qadsiah.

“Të gjithë mendojnë për paratë. Por, unë vendosa përpara shumë gjëra për të bërë një zgjedhje. Familja ime, gruaja ime, qyteti, ekipi dhe dëshira për tu kthyer në kombëtare. Jam 30 vjeç, ndihem mirë. Madje, megjithëse shoh shumë kritika për dëmtimet, përpiqem të punoj sa më shumë çdo ditë.

Natyrisht, nuk mund të them se nuk u dyzova kur pashë atë shifër parash. Megjithatë ka shumë gjëra të tjera që duhet të merren parasysh dhe kjo ishte arsyeja e vendimit tim.”

Dybala sqaroi edhe aludimet në lidhje me zërat për agjentin e tij, duke thënë se ai donte vetëm ta shihte të lumtur.

“Nuk ndryshon asgjë për agjentin tim. Kam dëgjuar të thuhet se ai do të humbasë shumë para, por nuk është e vertëtë. Ai thjesht donte që unë të isha i kënaqur me zgjedhjen. Nuk është thjesht një agjent për mua, por është një mik dhe dëshiron të më shohë të lumtur.”

Dybala do të jetë pjesë e Romës, me të cilët ka kontratë deri në verën e vitit 2025. /tvklan.al