Dita e Mësuesit, 7 Marsi nuk mund të konceptohet pa rrëfimin e dikujt që ka pranuar këtë mision të rëndësishëm për brezat e rinj. Liri Fico e ka filluar këtë rrugëtim në moshën 17-vjeçare duke kaluar nga fshati e deri në SHBA, gjithnjë në mësimdhënie.
Në vitin 1954 pas përfundimit të Pedagogjikes në Korçë filloi të japë mësim në lëndën e Gjuhë-Letërsisë fillimisht në Selenicë, më pas në Bilisht. Pas kësaj njohu bashkëshortin, Agron Fico dhe më pas do të pasonin 6 vite në Kinë në vitin 1960.
Por përpara se jeta e tyre të zhvendosej diku tjetër, mësuesja rrëfen në “Rudina” në Tv Klan episodin që i parapriu kësaj ngjarjeje në jetën e tyre kur u duk se marrëdhënia përfundoi.
Liri Fico: Në atë kohë bëmë fejesën, u martuam dhe unë shkova në Teknikumin Teknologjik, 6 muaj, jepja Gjuhë dhe Letërsi. Mbarova, po vija në shtëpi. Thotë burri “do shkoj në Kinë”. Më përpara jepte mësim në ambasada.
Rudina Magjistari: Ai vetë?
Liri Fico: Po, po. Ishte sekretar shkencor, 26 vjet por… kështu që ai më thotë këtë fjalë. Shumë mirë i thashë unë, sa vjet do rrish? “5 vjet” tha. Si the, i thashë? 5 vjet? “Pse nuk do më presësh?” Jo. Të betohem. Ndoshta s’është vendi ta tregoj pse e thashë këtë, unë e desha, unë e mora me dashuri, por qëndrim 5-vjeçar s’mund të bëja.
Rudina Magjistari: Në distancë, ishte shumë 5 vite.
Liri Fico: As unë, as ai. Nuk e zgjat më shumë që t’ju them të tjerat. U çudit. “Unë jam duke shkuar në ministri”, tha, “se do më japin 40 mijë lekë të marr një pallto ‘Gubel’, të marr edhe një kapelë që të dukem tamam si profesor”.
Fico shton se bashkëshorti i saj fitoi për shkak të rekomandimeve të shkëlqyera që kishte dhënë Eqrem Çabejj për të. Por ndërkohë që ai përgatitej për t’u larguar, ajo ishte trishtuar për të gjithë situatën që pësoi një ndryshim rrënjësor.
Liri Fico: Vij te “Skënderbeu” kur ky vjen dhe më prek në krah. Të lutem i thashë, kjo punë mbaroi. “Jo”, tha, “nuk ka mbaruar, ti do vish me mua”. Po nga do vij unë, i thashë. “Do vish vetë”, tha.
Për Liri Ficon gjendej një pozicion i lirë në Kinë për të mësuar fëmijët shqiptarë që gjendeshin atje duke i mundësuar çiftit që të largoheshin së bashku në një tjetër kontinent./tvklan.al