Sot është 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Në këtë ditë të veçantë, e tillë ishte surpriza që Ministri i Brendshëm, Taulant Balla pati për mësuesen e tij të Matematikës, Veronika Cfarku, cila ishte e ftuar mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e Klan News.

“Zyshë Veronika mirëmëngjes. Të uroj nga zemra gëzuar 7 Marsin, paç jetën e gjatë dhe shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje për gjithë mundin tënd, për të na dhënë dije dhe për të na përgatitur të fortë, edhe në jetën tonë të përditshme. Sepse ti për ne nuk ke qenë vetëm mësuesja e Matematikës, dhe ne të dy kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin për shkak se dhe mua më pëlqente shumë lënda jote. Por na ke mësuar që të ecim të fortë edhe në karrierën tonë, në profesionin tonë, kështu që jo vetëm në emrin tim, por në emrin e të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës sonë dua të të uroj sot, Gëzuar 7 Marsin dhe shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje”, u shpreh Balla në mesazhin e tij.

“Shumë-shumë-shumë faleminderit, tepër e emocionuar, kjo është dhurata më e bukur që më bëhet në jetë. Nuk e prisja sepse kam kohë që nuk kam komunikuar me Taulantin edhe pse e ruaj atë foto të kohës së gjimnazit. Ishte nxënës i shkëlqyer”, u shpreh mësuesja tashmë në pension, dukshëm e emocionuar.

Por a e kishte spikatur mësuese Cfarku që nxënësi i saj do të kishte një karrierë të suksesshme në jetë?

“Jo e politikës, pak nuhatje sepse ishte i ri, ishe aktiv, por ishte aktiv në shumë talente jashtë mësimit. E aktivizoja në olimpiadat e Matematikës, i bëja mësime të veçanta në atë kohë, doja që ai të shkëlqente, të zgjidhte shkencat kompjuterike, besoja që do bëhej një shkencëtar shumë i mirë në atë fushë. Dhe nuk më erdhi mirë që e ndërroi. Filloi vitin e parë te Shkencat e Natyrës, Informatikë dhe pastaj ndodhi zgjedhja e tij. Ai shkëlqente në të gjitha lëndët, por Matematikën e ka pasur dhe në 8 vjeçare ka qenë fitues i olimpiadës”, shprehet Cfarku për gazetaren Iva Kalemi, në Klan News.

Ajo po ashtu ndau edhe këtë fotografi të rrallë me Ministrin Balla./tvklan.al