7 Marsi, dita e mësuesit e ka gjetur Tiranën me një tjetër institucion të ri arsimor. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “26 Nëntori”, e cila u rindërtua pas tërmetit falë programit “EU4Schools”, financuar nga BE dhe Qeveria Shqiptare.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj vlerësoi angazhimin e të gjitha institucioneve dhe të partnerëve për të dalë edhe më të fortë nga vështirësitë e pas tërmetit.
“Shumë faleminderit që këtë fatkeqësi e kthyem në mundesi, si një skuadër. Një fatkeqësi mund të të bëjë të ulësh kokën, të kërrusesh, të dorëzohesh e të thuash ‘s’ke çfarë i bën një fuqie përtej asaj që njeriu mund të kontrollojë!’ Por, ajo që ne mund të kontrollojmë është mënyra se si i përgjigjemi. Ne mund të vendosim sa shpejt ngrihemi, sa të fortë jemi dhe sa arrijmë ta kthejmë fatkeqësinë në mundësi”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se sot institucionet publike janë shumë herë më të mira edhe se ato private.
“Ne kemi institucione që janë shumë herë më të mira se privati, shumë herë më dinjitoze, dhe janë shkolla jo vetëm për të përballuar tërmetin e ardhshëm, por për të përballuar gjithë nevojën që kemi për një tjetër lloj pavarësie. Në qoftë se 26 nëntori ishte pavarësi nga armiku dhe nga armiqtë dhe nga pushtuesit e Shqipërisë, ne sot na duhet një tjetër pavarësi. Na duhet një pavarësi nga injoranca dhe apatia”, tha Veliaj.
Në inaugurimin e shkollës morën edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino.
Tv Klan