Partitë politike në nisje të procesit të regjistrimit të diasporës për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit, kanë bërë thirrje për angazhimin e shqiptarëve që vota e tyre të ketë vlerë në këtë proces.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, kërkoi që nga data 11 Janar shqiptarët të angazhohen për t’u regjistruar në platformë, madje shpjegoi me detaje edhe procesin.

“Një llogari e re në këtë platformë ku përmes fotografimit të fytyrës së çdo aplikuesi krijohet një llogari dhe më pas të vjen konfirmimi nga KQZ. Në momentin kur të vjen konfirmimi nga KQZ-ja për procesin e votimit, do të duhet të vendosësh edhe një adresë. Për të konfirmuar këtë adresë, mjafton çdo lloj dokumenti që mund të keni, qoftë një kontratë qiraje për shtëpi, qoftë një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm”, tha Balla.

Balla u kërkoi votuesve të mos e neglizhojnë plotësimin e fletës së votimit sapo ta marrin dhe ta dërgojnë në kohë për në Shqipëri.

“Në atë adresë, përmes postës, do të vijë edhe fleta e votimit. Kjo fletë duhet të mos lihet siç e kemi zakon ne shqiptarët – që na vjen dhe e lëmë aty te frigoriferi dhe harrojmë – por atë ditë që do të vijë, secili ta plotësojë dhe ta nisë për në Shqipëri”, deklaroi Balla.

Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER) që u prezantua fundvitin e kaluar vjen në versionet desktop dhe mobile, pa pagesë. Kodi Zgjedhor i miratuar më 26 korrik 2024 përcakton që regjistrimi i votuesve jashtë vendit fillon katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve.

Klan News