Trajneri: Kemi ende shpresa. Xhaka braktisi Kombëtaren
“Në ditën e parë të grumbullimit për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të botërorit, trajneri i kombëtares Edi Reja ende e ka shijen e hidhur të humbjes me Poloninë. Duke gjykuar ftohtë, tekniku italian thotë se ekipi që drejton bëri më të vështirën, duke humbur këtë sfidë.
Në sprintin final për botërorin e Katarit, Reja vazhdon të shpresojë dhe ëndërrojë, pasi këtë ia garanton matematika.
“U kam kërkuar maksimumin, të bëjmë lojën tonë, matematika na e lejon, Hungaria mund të fitojë me Poloninë”.
Ka mungesa mes kuqezinjve. Abrashi dhe Gjimshiti të dëmtuar. Manaj nuk është në formë fizike pasi ka luajtur pak, ndërsa Balliu ka shqetësime në muskujt e barkut dhe luan me injeksione, ndërsa Taulant Xhaka ka një tjetër histori.
“Xhaka gënjen. Nuk e kam grumbulluar vetëm një here kur nuk luante. Që prej një viti i kam dërguar ftesë. Ka thënë që nuk ndjehet mirë dhe në klubin e tij ka luajtur. Ai është tallur me ne. Xhaka e ka braktisur kombëtaren”.
Që nga kjo e hënë kombëtarja do të nisë përgatitjet për ndeshjen e vështirë ndaj Anglisë që do të luhet në Wembley më 12 Nëntor. 3 ditë më pas në Shqipëri luajmë kundër Andorras.
Tv Klan