“Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë”

Me qetësi dhe me qartësi. Kështu duhet të futet kombëtarja shqiptare në ndeshjen e fundit të grupit të Ligës së Kombeve. Ndaj Bjellorusisë vendoset vendi i parë dhe kuqezinjve i duhet vetëm 3 pikëshi. E pranon këtë edhe trajneri reja në konferencën për shtyp para ndeshjes.

“Është një ndeshje finale. Duhet të jemi të qetë, të kemi siguri. Duhet të kemi besimin e njerëzve dhe stafit teknik. Kemi cilësitë e duhur për të bërë një ndeshje futbolli. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Të mos bëjmë gabime të nisemi me nxitim. Duhet të kemi ekuilibër, ndeshjet zgjasin 90 minuta”, tha Reja.

Tekniku shpjegon se me çfarë skuadre do të përballet pasditen e së mërkurës në “Air Albania”.

“Është një skuadër që mblidhet mirë mbrapa dhe ka kundërsulm të shpejtë. Duhet ta menaxhojmë ndeshjen sipas situatave të krijuara. Nëse ruajmë ekuilibrin do të bëjmë gjëra të mira”, u shpreh Reja.

Etrit Berisha sjell edhe atmosferën e momentit që po kalon kombëtarja.

“Kemi kualitet më të lartë se ekipet e tjera. Duhet të futemi të qetë për të fituar ndeshjen. Gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japim maksimumin”.

Pritet që trajneri të përzgjedhë lojtarët më në formë të momentit duke shpresuar tek përsëritja e paraqitjes si ndaj Kazakistanit.

Tv Klan