Në ditën e fundit të vizitës së tyre në Tiranë, dy reporterët e KE, Jako Jakso dhe David Wilshire, deklaruan se tashmë i takon Komisionit të Venecias që të marrë në shqyrtim përmbajtjen e ligjit të lustracionit.
Këtë deklaratë dy të dërguarit europian e bënë pas takimit me dyer të mbyllura me presidentin Bamir Topi në Pallatin e Brigadave.
David Wilshire: “Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar, ju keni qeverinë tuaj që dëshiron të bëjë diçka, por keni dhe opinionin ndërkombëtar që është i shqetësuar dhe gjëja e parë që do të them është se askush dhe askund në botë po sugjeron që Shqipëria të mos ketë ligjin e lustracionit, kjo është një çështje e qeverisë shqiptare, dhe sërish theksoj se i takon popullit shqiptar të vendosë për këtë gjë. Në këtë linjë ne do të kemi një raport që do të bëhet publik më 31 mars.”
Jako Jakso: “Qeveria shqiptare ka pasur gjithmonë vullnetin për të bashkëpunuar me KE. Prandaj dhe u habitëm që këtë herë ajo nuk tregoi gatishmëri për rishqyrtimin e këtij ligji me organizma ndërkombëtare. Tani është në dorë në komisionit të Venecias, për të marrë vendimin lidhur me përmbajtjen e këtij ligji.”
Ndërkaq dy reporterët e KE-së kanë komentuar dhe çështjen Biberaj, duke e cilësuar atë individuale, pasi sipas tyre i takon çdo qeverie të përzgjedhë përfaqësuesit e saj në organizmat ndërkombëtar.
Gjithashtu të dërguarit e KE-së njoftuan se së shpejti në Shqipëri do të mbërrijnë vëzhgues të cilët do të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve parlamentare./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro