Lajme Arkiva 2003

Dëbora e dendur që ka rënë mbrëmë gjatë gjithë natës dhe paraditen e sotme në rrethin e Librazhdit ka bllokuar shumë akse rrugore. Në Librazhd trashësia e dëborës arrin deri në 20 centimetër, Përrenjas 40 ndërsa në Qafë-Thanë në pikën më të lartë rreth 9 centimetra ku temperatura me e ulët ka shënuar -10 gradë celsius. Reshjet e dëborës kanë penguar gjithashtu edhe zhvillimin e mësimit në shumë shkolla.

Akset rrugore, Pishkash, Përrenjas Qafë-Thanë, doganë, Tushemisht dhe Pogradec kane qenë më të vështirët për tu kaluar. Por në saj të drejtorisë së rrugëve dhe policisë rrugore të rretheve Librazhd dhe Pogradec është lehtësuar disi qarkullimi i automjeteve. Zonat më problematike që nuk kanë asnjë komunikim janë Stërbleva, Moglica, Sopoti, Qarrishta, Rajca, Hotolishti, Dardha etj.

Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar dëme edhe në blektori ndërsa në Librazhd dhe Përrenjas por edhe në disa komuna ka patur ndërprerje të energjisë për shkak të këputjes së telave në shtylla nga pesha e dëborës . Po në rrethin e Librazhdit në vendin e quajtur Murrash 3 kilometra larg tij një masiv dheu është shembur duke bllokuar rrugën. Kjo rrugë lidh fshatin Arrëz me Tiranën dhe Elbasanin.

Në të kalojnë çdo ditë dhjetëra njerëz për të kryer veprime në qendrën e komunës, prefekturë apo spital. Masivi i dheut ka rënë nga një lartësi prej 50 metrash dhe duke u përzier me ujin ka krijuar një bat e cila e bën të pamundur daljen e banorëve në rrugë kryesore. Fëmijët e shkollave për të dalë në rrugë kryesore janë të detyruar të shfrytëzojnë urën e linjës hekurudhore e cila është 350 metra e gjatë dhe 70 metra e lart.

Por për këtë banorët e kësaj zone janë shqetësuar sepse kanë frikë rrezikun aksidenteve pasi momenti i daljes së tyre nga mësimi korrespondon edhe me orarin e kalimit të trenit Librazhd-Elbasan. Sipas kryeplakut Qazim Murazhi ai thotë se është interesuar në komunë dhe në mirëmbajtjen e rrugës por asnjëherë nuk ka gjetur një zgjidhje pasi asnjeri nuk e vë ujin në zjarr./tvklan.al