Moti i keq ka krijuar probleme të qarkullimit në veri, lindje, verilindje dhe juglindje të vendit.

Reshjet e dëborës dhe rrëshqitja e një masivi dheu në Qafë Plloçë mbrëmjen e së premtes kanë bllokuar për disa orë rrugën kombëtare Pogradec-Korçë.

Drejtoria rajonale rrugëve ka dërguar katër mjete për pastrimin e zonës, duke hapur qarkullimin fillimisht për automjetet e vogla në njërin krah.

Kreshnik Zgjani: “Mjeti që po punon aty po zgjeron malin atje. Për të zgjeruar rrugën, për të siguruar lëvizjen e mauneve larg shembjes.”

Situata është përmirësuar dhe tani mund të lëvizin edhe kamionët dhe autobusët.

Në Qafë Kërrabë, reshjet e dendura të dëborës kanë vështirësuar qarkullimin nga mbrëmja e së premtes deri në orët e para të ditës së shtunë.

Dy borëpastruese kanë punuar gjatë të gjithë kohës për të hapur rrugën. Probleme ka pasur në segmentin nga kilometri 29 në drejtim të Tiranës.

Artan Lika: “Në orët e mëngjesit ka qenë i kalueshëm vetëm me zinxhirë kurse momentalisht është i kalueshëm normal. Kur operojnë 2 borëpastruese të firmës private si dhe p;patrulla e policisë rrugore dhe deri tani nuk ka pasur asnjë lloj problemi.”

Policia ka ndryshuar lëvizjen e mjeteve në rrugën Elbasan – Durrës, për të shmangur aksidentet deri në mëngjesin e së shtunës.

 Ministria e Transportit dhe ajo e Brendshme njofton se, si pasojë e reshjeve, qarkullimi i mjeteve mund të bëhet vetëm me zinxhirë në akset: Qafë Mali-Shllak dhe Qafë Mali Fierë, Kukës-Shishtavec, Rrëshen-Kurbnesh dhe Rrëshen-Qafë Benjë, Qafë Krrabë, Qafa e Llogarasë, Qafë e Shtamë.

Te bllokuar janë akset: Fushë Arrëz-Iballë, Ostren i Vogël-Klejn-Steblevë, Kurbnesh-Lurë, trashësia e borës kalon 2 km, Dajt-Qafë Mollë.

Hyrja e autostradës Fier-Lushnje është bllokuar për disa orë si pasojë e ujërave te kthesa në Vajkan./tvklan.al