Situata e vështirë e krijuar në pjesën më të madhe të vendit për shkak të reshjeve të dëborës nuk ka ndikuar në furnizimin normal me energji elektrike.

Sahit Dollapi: “Sot aktualisht mbi 95% e territorit të Shqipërisë furnizohet me energji elektrike pa ndërprerje me përjashtim të një komune në Arrën të Peshkopisë, e cila duke u nisur vetëm nga situata dhe kushtet e vështira të motit nuk lejojnë punonjësit tanë që të bëjnë riparimin e defekteve. Kemi në një zonë të Hasit në komunën Fajza, kemi në disa zona në Librazhd, të cilat janë marrë, që sot janë marrë të gjitha masat për dhënien energji edhe të këtyre zonave duke ngritur grupe të posaçme duke ditur edhe kushtet e vështira të terrenit, qoftë me bazë materiale, qoftë edhe me specialistët e nevojshëm për eliminimin e këtyre avarive.”

Dollapi thotë se për tre muajt në vijim është siguruar energjia e nevojshme për furnizimin normal të konsumatorëve dhe janë pikërisht 600 milion kilovat/orë energji të blera.

Lidhur me shqetësimin e vjetër të OSSH-së borxhet që kësaj të fundit i kanë konsumatorët, pjesa më e madhe e të cilëve janë ndërmarrjet shtetërore, Dollapi thotë se gjatë këtij viti nuk do të ketë asnjë tolerim për debitorët duke lënë të kuptohet se për furnizimin me energji do t’i qëndrojnë vetëm motos “Paguaj që ta kesh”.

Sahit Dollapi: “Me ndërhyrjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Transporteve si dhe të Ministrisë së Financave në fund të Dhjetorit u dha një detyrim nga 2.2 miliard lekë që janë, me marrë buxhetore dhe jo buxhetore i kanë kompanisë së OSSH, iu dhanë rreth vetëm 600 milion lekë, pra nuk është as 30% e detyrimeve që ka shteti karshi kompanisë. Megjithatë ne do ndërmarrim masat dhe të gjithë abonentët, qofshin këta buxhetorë dhe jo buxhetorë, do trajtohen si abonentë privatë në marrëdhëniet me kompaninë”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka