Revista italiane e udhëtimeve “TTi Viaggi” i kushton një shkrim të zgjeruar turizmit shqiptar. Gazetarja Erika Fameli e përshkruan Shqipërine si një nga ato vende që ka pasur suksesin më të madh vitet e fundit në këtë sektor, duke tërhequr një numër në rritje të vizitorëve ndërkombëtarë, veçanërisht në periudhën e verës.
Evidenton vendin tonë si një destinacion që po rivalizon vitet e fundit gjigantët turistikë si Greqia apo Spanja, duke u bërë e preferuara për pushime verore me kosto të ulët.
Shqipëria, thuhet në artikull, përveçse është kthyer në një destinacion perfekt për të rinjtë dhe për ata që kanë një buxhet të kufizuar për të investuar për pushime, po ‘thith’ gjithnjë e më shumë investitorë për t’u bërë pjesë e turizmit me projektet e tyre.
Falë politikave sociale, Shqipëria theksohet se ka filluar të tërheqë edhe turistë të moshës së tretë.
Gazetarja ka renditur disa faktorë që e kanë ndihmuar Shqipërinë të bëjë sukses në këtë sektor. E para është se jemi ende një destinacion pak i njohur, megjithëse numri i turistëve që e vizitojnë atë është në rritje, por serish nuk është prekur nga turizmi masiv.
Në Shqipëri do të keni mundësinë të hani mirë dhe shpenzoni pak, akomodimet janë të një standardi të lartë, por me çmime të ulëta. Gjithashtu, në vend ofrohen plazhe të mrekullueshme me kosto të përballueshme. Gazetarja ka dhënë edhe disa këshilla praktike për vizitoret që do të ndodhen në Shqipëri së shpejti për të vizituar atraksionet e shumta që ofron vendi ynë.
Klan News