Dy ish-presidentët, Rexhep Meidani, dhe Alfred Moisiu janë shprehur në mbështetje të procedurave të ndjekura nga presidenti aktual, Bamir Topi, për propozimin e dekreteve që lidhen me emërimin e pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Si Meidani, ashtu edhe Moisiu e kanë quajtur të pavend përplasjen institucionale mes presidencës dhe kuvendit, si dhe debatin politik që po shoqëron këtë konflikt.

Rexhep Meidani: “Gjithmonë është i nevojshëm një bashkërendim institucionesh. Në këtë rast unë nuk e kuptoj ku qëndron thelbi i problemit. Mesa kam parë nga mediat kandidaturat janë tepër serioze.”

Alfred Moisiu:“Kryetari i parlamentit pati bërë vetëm disa kompetenca, të cilat nuk ia jep as Kushtetuta, as ligji, asgjë. Dekretet e presidentit janë dekrete të kryetarit të shtetit edhe pavarësisht sepse jemi republikë parlamentare kjo është një gjë që nga parlamenti kanë burime të gjithë institucionet kryesore të shtetit. Këto janë gjëra, tregojnë se shteti jonë është akoma larg të qenurit shtet ligjor”.

Ish-presidenti Moisiu ka risjellë në vëmendje një rast të ngjashëm në 2005 lidhur me dekretin e tij për emërimin si anëtarë të Gjykatës së Lartë të Gjinovefa Gabës, për të cilën parlamenti nuk është shprehur as sot e kësaj dite./tvklan.al