Lajme Arkiva – TV Klan 2003

E ardhmja e partisë Socialiste po rrezikohet, po aplikohet përjashtimi e hakmarrja, e kjo parti po afron grerëzat. Me të njëjtën linjë, duke përsëritur kërkesat e tij, për emancipimin e PS, ish-presidenti Mejdani u është drejtuar intelektualëve fierak.

Në një debat të hapur kandidati për kreun e PS, ka dhënë sugjerime për kongresin dhe veprime që duhen ndërmarrë brenda PS. Ai është shoqëruar nga mbështetësit e tij, si deputeti Prifti, por në sallë janë parë edhe ish-kreu i SHISH Klosi e deputeti Legisi. Në podium njëkohësisht edhe si mbështetës i tij është parë edhe kryetari i PS të Qarkut Fier. Kjo parti për Mejdanin ka nevojë për qëndrueshmëri politike.

Rexhep Mejdani:- “Partia Socialiste është akoma një parti në tranzicion dhe ka nevojë të evoluojë me shpejtësi, të reformohet me shpejtësi, për të kaluar në një parti moderne bashkëkohore. Partia Socialiste ka nevojë për të pranuar mendimin ndryshe, kërkohet që më tutje, ky mendim ndryshe nëpërmjet korrekteve në parti të institucionalizohet”.

Mejdani vëren të zbatohet një statut i dyfishtë, mandatet e kryeministrit dhe kryetarit të partisë për të duhet të ndahen.

Rexhep Mejdani:- “Fillova të shikoj një zhvendosje, si të fshehtë të PS nga baza e saj, pra nga karakteri i majtë i partisë, drejt qendrës dhe më tutje. Në qoftë se partia gabon në këtë drejtim në një farë paralelizmi, bletët, ato që prodhojnë mjaltin, pra në kuptimin e krahasimit politik, votuesit, socialistët e thjeshtë, ato që i japin votën partisë, për të qëndruar në qeverisje, ato do të pakësohen, kurse grerëzat ato që duan të ushqehen nga ky mjaltë, nga kjo votë e ndershme e anëtarit të thjeshtë të PS, ato do t’i turren partisë”.

Ndërsa deputeti Prifti ka treguar arsyet përse mbështet Mejdanin. Dritan Prifti sheh tek Mejdani, një figurë më të fortë se Nano, që sipas tij mban gjallë opozitën.

Dritan Prifti:- “Tek presidenti Mejdani gjejmë qetësinë që PS nuk do të përdori politikisht për interesa të tij, ose të ndonjë klani. Mbani mend 14 Shtatorin, kjo është pika më e rëndësishme ku mund të krahasojmë dy rivalët për këtë kongres. Njëri që qëndroi në krye të detyrës, në zyrën e tij dhe shpëtoi shtetin shqiptar nga një puç shteti dhe tjetri që braktisi detyrën në kundërshtim me Kushtetutën dhe u largua nga vendi pa asnjë adresë dhe pa asnjë preokupim se çfarë po ndodhte me vendin që ai udhëhiqte”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti