Projektrezoluta anti-korrupsion e prezantuar nga kryeministri Edi Rama do të marrë ditën jeshile në seancën e ditës së hënë. Me votat e socialistëve, vendimi u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. PD ka deklaruar votën kundër, ndërsa në përfundim të mbledhjes deputetja Jorida Tabaku arsyetoi vendimin e demokratëve për të mos e mbështetur këtë nismë.
Jorida Tabaku, deputete e PD: Parlamenti sot ka nevojë për një gjithpërfshirje për ta bërë procesin e integrimit një proces kombëtar, për të përfshirë të gjithë aktorët dhe partnerët dhe të mos miratojmë copa letrash që dihet se çfarë fundi kanë.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të PS, Bledi Cuci tha se me miratimin e kësaj rezolute nuk mbivendoset asnjë kompetencë, madje sipas tij përforcohet roli i Kuvendit ndaj institucioneve llogaridhënëse.
Bledi Çuçi, kreu i Grupit të PS: Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë.
Dy javë më parë, Partia Socialiste paraqiti një draft-rezolutë që sipas saj, do të angazhojë në reformimin institucional për të luftuar korrupsionin në funksion të shtetbërjes europiane të Shqipërisë. Ky qëllim synohet të arrihet nëpërmjet një komisioni të posaçëm, ngritja e të cilit pritet t’i hapet rruga pas miratimit në seancë ditën e hënë.
Klan News