Një restorant malor me pamje nga Alpet zviceriane është rindërtuar dhe është gati për të mirëpritur klientët e tij. Ky biznes u dogj dy vite më parë, por tashmë gjithçka është lënë pas.
Restoranti Botta, i emëruar pas arkitektit të tij Mario Botta, është ndërtuar në një shkëmb 3000 metra mbi nivelin e detit.
Pamja është e mrekullueshme teksa shihet qartazi akullnaja Tsanfleuron dhe majat e famshme duke përfshirë Eiger, Jungfrau, Matterhorn dhe Mont Blanc.
“Më 19 Shtator 2022, mora një telefonatë në orën katër të mëngjesit dhe më thanë se Botta po digjet. Ishte një tronditje e madhe, pastaj gjatë rrugës për në Glacier 3000 unë po mendoja se si do t’i menaxhonim rezervimet për dimër. Fatmirësisht teleferiku nuk u prek, askush nuk u lëndua, më e rëndësishmja. Në këto dy vite bëmë të gjithë planifikimin, rikonstruksionin dhe jemi shumë krenarë që arritëm ta përfundonim këtë punë dhe sot restaurant i ri Botta i mirëpret të gjithë”.
Rindërtimi kushtoi 30 milionë Franga zvicerane. Sfida kryesore ishte se Botta ndodhet në 3000 metra. Më pas kushtet ekstreme të motit, bora, erërat, akulli, bënë që hapja të shtyhej me katër muaj pasi parashikohej të ishte funksional që në verë.
“Ne jemi krenarë dhe të lumtur që arritëm të ndërtojmë një ndërtesë kaq cilësore në 3000 metra mbi nivelin e detit. Është në mes të Zvicrës dhe në anën tjetër është Deti Mesdhe. Pra, është një pikë strategjike për të gjithë vendin”.
Restoranti mund të arrihet nëpërmjet një teleferiku i cili është pjesë e vendpushimit të skive Glacier 3000 pranë fshatit Les Diablerets në kantonin të Vaud.
Klan News