Rikandidimi i zotit Rama në krye të Partisë Socialiste shihet nga kundërshtarët e tij politik brenda kupolës rozë si një mundësi tjetër humbjeje jo vetëm për socialistët por për të majtën në vend.

Sekretarja për shanset e barabarta në Partinë Socialiste, Edlira Haxhiymeri, duke iu referuar deklaratës së një dite me parë të zotit Rama se ai do të çojë përpara projektin e tij në PS, jep arsyet se përse zoti Rama nuk duhet të jetë më në krye të partisë, të shtrira në rrafshin juridik, atë politik e moral.

Edlira Haxhiymeri: “Në planin juridik në statutin e PS-së është shprehur qartë se me humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme kryetarit i ndërpritet mandati. Në planin politik një program i pa votuar, një program i pa mbështetur nga socialistët dhe shqiptarët natyrisht që nuk ka pse të ketë një shans të dytë. Në planin moral për PS-në është vendosur një standard. Drejtuesit që humbasin zgjedhjet largohen, madje ky detyrim është artikuluar nga vetë zoti Rama në vitin 2005 me humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme, i cili i kërkonte në artikulimin e tij largimin pa kushte të kryetarit të atëhershëm të PS-së.”

Respektimi i pikave statutore do të shqyrtohet në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 Gushtit, ku Rama pritet të rikandidojë, siç la të kuptojë  edhe kryetari i Asamblesë, zoti Gramoz Ruçi. Por tashmë, mjaft anëtarë të kryesisë dhe eksponentë të lartë të selisë rozë rikandidimi i tij do të një disfatë për Partinë Socialiste.

Edlira Haxhiymeri: “Një rikandidim i zotit Rama në krye të PS-së nuk do të sillte asgjë të re në PS, madje mundet dhe do ta vështirësojë fitoren e ardhshme të PS-së. Një projekt i dështuar, një projekt i pavotuar duhet ti hapi rrugën projekteve të tjera, të cilat për hir të së vërtetës në PS-në nuk mungojnë.”

Zërat për largimin e zotit Rama nisen të artikulohen menjëherë pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Ato u konkretizuan me një rezolutë të propozuar nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi, i cili në fjalimin e tij në Asamble, tha se me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, Rama po e mban peng partinë socialiste për arsye personale./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro