Opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje. Për këtë Monika Kryemadhi kujtoi marrëveshjen e nënshkruar më 23 Prill të të gjitha partive të opozitës, të cilat kanë marrë angazhimin të marrin pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.
Kryemadhi deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se në këtë listë mund të vijnë edhe parti të tjera që duan një parlament demokratik.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka ndonjë shans për t’u kthyer në koalicion me PS-në, Kryemadhi tha: “Vetëm nëse unë jam e çmendur”, duke mohuar në këtë mënyrë rikthimin në një koalicion me selinë rozë.
Blendi Fevziu: Gjithë opozita e bashkuar do të shkojë në një listë ose koalicion të përbashkët?
Monika Kryemadhi: Patjetër, në një koalicion të madh.
Blendi Fevziu: Do të hapeni dhe për parti të tjera që duan t’i bashkohen kësaj listës së madhe?
Monika Kryemadhi: Patjetër.
Blendi Fevziu: Me çfarë kriteresh?
Monika Kryemadhi: Me kritere shumë të thjeshta, për t’i ofruar shqiptarëve një parlament të denjë.
Blendi Fevziu: Kjo marrëveshje me PD është definitive, apo po e zgjati Rama mund të kaloni andej?
Monika Kryemadhi: Është definitive dhe janë njohur strukturat më tej.
Blendi Fevziu: Ju si LSI do të shkoni me PD… me partitë e tjera nuk keni po them ndonjë shans të riktheheni tek Rama në një koalicion të mundshëm?
Monika Kryemadhi: Vetëm nëse unë jam e çmendur dhe që jam një njeri që nuk e mbaj fjalën. Unë shquhem që jam një njeri që e mbaj fjalën.
Mentor Kikia: Jeni çmendur nja dy herë./tvklan.al