Përpjekja e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë ka shtuar spekulimet për një rikthim të markave perëndimore në Rusi.
Sanksionet perëndimore ndërlikuan pagesat ndërkufitare dhe flukset tregtare.
Henderson, kompani për veshje për meshkuj shprehet se largimi i shitësve të huaj i kishte dhënë një shtysë zhvillimi, kryesisht duke vënë në dispozicion vendndodhje më të mira brenda qendrave tregtare.
Kjo e ka ndihmuar kompaninë të rrisë shitjet e saj tre herë më shpejt se rritja e përgjithshme vjetore prej 8% e tregut të veshjeve për meshkuj, edhe pse markat perëndimore janë ende të disponueshme në disa vende.
“Tregu në vetvete nuk ka ndryshuar ndjeshëm, pasi shumica e markave të huaja, 60-80% e prodhuesve globalë, nuk u larguan”, tha zyra e shtypit e Henderson.
Dallimi është se vendet kryesore të qendrave tregtare, në të kaluarën të rezervuara për dyqanet kryesore perëndimore, tani janë marrë nga rivalët rusë.
“Ne arritëm të zëvendësonim markat perëndimore me ato ruse, por nuk arritëm të ristabilizonim ekonominë tonë. Një nga arsyet është fakti se markat perëndimore dikur tërhiqnin shumë klientë. Financat tona ishin në një nivel tjetër. Për shembull, krahasuar me vitin 2019, deri tani qendrat tregtare kanë humbur rreth 20 për qind të vizitorëve”, tha zv/presidenti i Qendrave Tregtare, Pavel Lyulin.
Moska nuk ka gjasa të presë me krahë hapur markat e kthyera. Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se prodhuesit rusë duhet të trajtohen me prioritet nëse firmat e huaja kthehen.
Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i Putinit për bashkëpunimin ndërkombëtar ekonomik javën e kaluar tha se priste që një numër i kompanive amerikane të ktheheshin në tremujorin e dytë të këtij viti, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Megjithatë, një kthim i tillë masiv i markave perëndimore i pritur nga shumëkush mund të rrisë qirate dhe t’i japë një shtysë të re ekonomisë së qendrave tregtare. Mund të ofrojë një mundësi për të ndërtuar objekte të reja dhe për të rifreskuar ato të vjetra”, tha Lyulin.
Më shumë se një mijë kompani perëndimore janë larguar nga Rusia që kur Moska dërgoi trupa në Ukrainë. Disa u larguan për shkak të kostove të shkaktuara nga sanksionet ndërsa të tjerët, veçanërisht shitësit me pakicë, në protestë kundër veprimeve të Rusisë.
“Vërtet ka mungesë të hapësirës së lirë e cila është mesatarisht 5-6 përqind në Rusi dhe 8 përqind në Moskë. Dhe vendet më të mira ku janë vendosur markat perëndimore tashmë janë mbushur. Këto janë kontrata afatgjata. Pra çdo vend i tillë do të luftohet “, tha Lyulin.
Por blerësit rusë u janë drejtuar markave vendase.
“Në fillim, ishte e vështirë sepse tregu rus i shitjes me pakicë për veshje dhe këpucë ishte i pazhvilluar. Por tani, absolutisht jo. Markat tona lokale prodhojnë gjëra që nuk janë absolutisht më keq se ato perëndimore. Për shembull, tashmë po evoluojnë edhe markat e luksit”, tha një banore e Moskës.
Nga ana tjetër edhe prodhuesit e huaj të makinave ndihmuan në rritjen e tregut rus të makinave kur filluan të ndërtonin fabrika në Rusi në fillim të viteve 2000.
Largimi i papritur i prodhuesve të automjeteve si Renault, Volkswagen dhe Nissan.T, la një boshllëk që u plotësua kryesisht nga konkurrentët kinezë, të cilët tani përbëjnë më shumë se 50% të shitjeve të makinave të reja krahasuar me më pak se 10% para fillimit të konfliktit.
Për momentin, kompanitë perëndimore po përjashtojnë kthimet e afërta. Markat ruse do të duan të mbrojnë pjesën e tregut që fituan dhe të ndihen të sigurt se janë mjaft të forta për të konkurruar nëse bizneset ndërkombëtarë kthehen pasi konsumatorët duan të jenë të lirë të vendosin vetë.
Klan News