Zgjerohet ndjeshëm harta e destinacioneve drejt të cilave pezullohen fluturimet me nisje nga i vetmi aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, ai “Nënë Tereza” në Rinas.

Anulimi ka prekur 15 nga 19 aeroporte në të cilat sipas skedulit normal këtë të shtunë duhej të lidheshin me fluturime të drejtpërdrejta me Rinasin, diktuar kjo nga shpërthimi i vullkanit në Islandë disa ditë më parë hiri i së cilës po zbret drejt rajonit tonë.

Grimcat e kësaj reje mund të dëmtojnë seriozisht motorët e avionit për pasojë të vënë në rrezik jetën e pasagjerëve.

Pezullimet në Rinas kanë bërë që me qindra pasagjerë të ndjehen konfuzë në pamundësi për të fluturuar.

Fjorald Zguro: “Çfarë do të bëni me biletën tuaj?”

Qytetari 1: “Nuk dihet nuk japin asnjë sqarim, njëherë thonë në qoftë se nuk niset do ikim ditën e hënë.”

Qytetarja 1: “Dhe të hënën varet do ketë vende apo nuk do ketë vende.”

Qytetari 2: “Na e kanë ndryshuar, e kishim në orën 7:30 tani nuk e dimë se a do të vemi apo s’do vemi.”

Qytetarja 2: “Tani duhet të telefonojmë këta të British Airways dhe të shikojmë se kur mund ta shtyjmë fluturimin. Se besoj nga data 20 ose 21 thonë që janë hapur fluturime, të martën ose të mërkurën.”

Përballë kësaj situate krejt të parashikuara kompanitë ajrore thonë se pasagjerët mund të fluturojnë një ditë tjetër ose mund t’iu kthehet pagesa e biletës.

Gëzim Shanaj: “Në orën 3 të mëngjesit kemi marrë një njoftim nga Enti italian i aviacionit që njofton që hapësira ajrore e aeroporteve në Italinë e Veriut është e mbyllur për këtë arsye nuk mund të fluturohet  në këto aeroporte. Për pasagjerët që kanë nevoja emergjente do të shkojnë në Fiuimicino dhe në Bari dhe pastaj do vazhdojnë me trena ose mund të shtyhen me këtë biletë që kanë për në ditët e ardhshme. Të gjithë pasagjerët që nuk duan të udhëtojnë mund t’iu rimbursohet bileta dhe të vazhdojnë rrugën e tyre me traget ose mjete të tjera transporti.”

Krahas fluturimeve drejt Londrës dhe Budapestit të pezulluara prej të premtes, sot pasagjerët shqiptarë nuk kanë mundur të lidhen as me aeroportet e veriut të Italisë, me ato gjermane, austriake, madje as me Prishtinën.

Fjorald Zguro: “Ky është sporteli i vetëm në të cilin po operohet me fluturime nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas. Është pikërisht aeroporti i Fiumicions në Romë. Mësohet se më se 10 destinacione është anuluar fluturimet për shkak të resë vullkanike.”

Drejtues të aviacionit civil shqiptar thanë për televizionin Klan se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe se ka pak gjasa që fluturimet në hapësirën ajrore të vendit të  bllokohen si pasojë e përhapjes së mëtejshme të hirit vullkanik./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro