Shpëtim Idrizi nuk ia ka dalë të sigurojë votat që i duheshin për të arritur pragun e nevojshëm për mandatin e deputetit as pas rinumërimit të kutive të kontestuara në Qarkun e Tiranës.

Pas përfundimit të rinumërimit të 64 kutive të kontestuara në Tiranë nga Partia Socialiste dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) PDIU ka marrë 5 vota më shumë se në rezultatin e shpallur në fund të qershorit.

Idrizi nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për të marrë mandatin e deputetit duke ngelur jashtë parlamentit, pasi PDIU-së i duheshin 37 vota mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit që të arrinte pragun për marrjen e një mandati.

Në rast se PDIU do të siguronte votat e nevojshme, mandati që do t’i kalonte Idrizit do t’i hiqej Partisë Socialiste, e cila ka 18 mandate deputetësh nga 34 që ka Qarku i Tiranës në total.

Sipas rezultateve pas rinumërimit, PS ka marrë 200.479 vota (18 mandate) në Qarkun e Tiranës, kurse PDIU 12.439 vota (0 mandate). 

PDIU  dorëzoi një kërkesë për rinumërimin e votave në të gjithë Qarkun e Tiranës, pasi nga 64  kutitë e rinumëruara, vetëm në 4 nuk ka ndryshuar rezultati, por kërkesa u refuzua nga anëtarët e KQZ-së.

/tvklan.al