Papa Françesku, i cili u dërgua në spital të premten për të trajtuar problemin e bronkitit vuan nga një infeksion i frymëmarrjes, por është në një gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
“Ati i Shenjtë i është nënshtruar ekzaminimeve të specializuara dhe ka filluar terapinë me ilaçe në spital”, thuhet në një deklaratë të lëshuar rreth tetë orë pasi Papa u dërgua në spitalin Gemelli të Romës.
Vizitorët dhe stafi në spitalin Gemelli I uruan shërim të shpejtë Atit të Shenjtë.
”Le të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Le të shpresojmë që ai të bëhet mirë‘’– shprehet ky banor i Romës.
Për shkak të problemeve shëndetësore që po kalon prej pak javësh, Papa është detyruar të mbajë fjalime të shkurtra ose t’i anulojë fare.
Spitali Gemelli i Romës, më i madhi në kryeqytet, ka një hapsirë të veçantë ku i jepet trajtimi Papa Françeskut. Ky i fundit kaloi nëntë ditë atje në Qershor 2023, kur iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.
Tv Klan