Viti 1980 lidhet me një ngjarje të rëndësishme për industrinë e naftës, siç ishte Fontana C 37 në zonën e Fierit.

Nga një gabim njerëzor, vetëm 48 orë pas eliminimit të flakëve në këtë pus nafte ndodhi shpërthimi i dytë dhe djegia e gazit vazhdoi për 33 muaj, duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm ekonomisë shqiptare.

Koli Mone, shefi i brigadës avaroshpëtuese, rrëfen për Histori me Zhurmues mbi përpjekjet 3-vjeçare pa rezultat për eliminimin e flakëve për miliona metër kub gaz të djegur, miliona dollarë dëm deri në djegien e plotë të shtresës së gazit.

Sheqere Trimi, një personazh i nxjerrë nga kronikat e kohës, nënë e dhjetë fëmijëve, mjelëse e dalluar në kooperativën e Ndroqit dhe delegatën në kongresin e gruas, është një tjetër protagoniste e emisionit të sotëm.

Ajo na njeh me jetën e vështirë të fshatit socialist në vitet ‘80 dhe takimi në Pallatin e Brigadave me Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë të lartë të partisë dhe të shtetit.

E mbështetur sërish në kronikat e kohës, vjen në këtë të diel edhe historia e Natali Beratit, mjekja që sapo mbaroi stazhin në spitalin e Shkodrës, u emërua në po këtë vit në një nga fshatrat e këtij rrethi, ku punoi për pesë vjet./tvklan.al