Deputeti opozitar Halit Valteri ka ngritur këtë të enjte në seancën plenare një shqetësim në lidhje me emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme, më konkretisht nga ata sirianë. Valteri u shpreh se këta refugjatë shpeshherë bëhen pjesë e bandave kriminale dhe kanë krijuar shqetësim për banorët në Tiranë, Durrës dhe zonat përreth.
Deputeti bëri thirrje që emigrantët të mblidhen në një kamp ose shteti jonë t’u mundësojë ushqime dhe veshmbathje. Për Valterin kjo çështje nuk duhet lënë në heshtje dhe dhe Ministria e Brendshme duhet të veprojë. Ai shtoi se me ardhjen e emigrantëve shtëpitë e shqiptarëve rrezikohen, ndërsa jetët tona nuk janë më të qeta.
“Dua të ngre një shqetësim që mjaft qytetarë po adresohen tek ne. Emigrantët sirianë, apo emigrantë të vendeve të Lindjes janë bërë problematikë shumë e madhe, e rrugëve të qytetit tonë ose Durrësit dhe zonave përreth ku shpeshherë bëhen pjesë e grabitjeve, pjesë e shqetësimeve të banorëve, ku shpeshherë bëhen objekt trafikimi nga grupe të ndryshme apo bëhen edhe pjesë e bandave në vendin tonë. Problemi i duhet adresuar ministrisë së brendshme që duhet të bëjë diçka patjetër këta njerëz ose t’i mbledhin në kamp ose t’u mundësojnë minimalisht ushqim ose veshmbathje. Ata vendin tonë e përdorin tranzit për të kaluar drejt Europës. Nuk duhet ta lëmë në heshtje siç po rri kjo çështje sepse realisht shtëpitë tona rrezikohen nga këto lloj grupesh dhe jetët tona nuk janë më të qeta siç ishin para se të vinin në vendin tonë”, tha Valteri./tvklan.al