Punëtorët e zhdukur në Baltimore janë të gjithë me origjinë nga Amerika-Latine
Trupat e dy punëtorëve të cilët merreshin me mirëmbajtjn e urës Francis Scott Key në Baltimore të SHBA-së janë nxjerrë nga uji.
Kërkimi vazhdon për katër të tjerët të gjithë supozohen të vdekur. Ata janë një 35-vjeçar me origjinë nga Meksika dhe një 36-vjeçar me origjinë nga Guatemala. Edhe punëtorët e tjerë të zhdukur janë me origjinë nga Amerika Latine.
Ekipet e kërkim shpëtimit kaluan orë të tëra duke kërkuar në ujërat e lumit Patapsco për gjashtë punëtorët e ndërtimit, të cilët humbën jetën kur anija u përplas në urë. Operacioni ka qenë sfidues dhe Roja Bregdetare e SHBA ka ndërprerë kërkimin për shkak të temperaturave të ulëta të ujit. Zhytësit kanë notuar në ujërat e ftohta me mbeturina metalike nga ura që ra në lumë. Vetë anija ka mbi 1.5 milion litra naftë dhe vaj lubrifikues që janë shpërndarë në ujë. Rreth 4,700 kontejnerë mallrash ishin gjithashtu në bord, duke përfshirë 56 që përmbanin materiale të rrezikshme.
Autoritetet federale tanimë po hetojnë se çfarë shkoi keq në bordin e anijes së mallrave Dali. Zyrtarët shpresojnë që një regjistrues i të dhënave që ata morën nga anija do të japë më shumë informacion.
Sal Mercogliano, një ish-marinar tregtar dhe ekspert detar në Universitetin Campbell, thotë se fokusi është tek problemet në anijen 100,000 tonëshe përpara se të nisej të martën herët në mëngjes dhe të godiste urën.
“Pra, punonjësit e portit po raportonin se kishte ndërprerje të energjisë në anije gjatë operacioneve të ngarkesave. Dhe pyetja bëhet, “Cili është shkaku themelor i kësaj?” A ishte diçka, që e dinit më përpara? A ishte korrigjuar. Por, ju e dini, ky është një tregues i problemeve me anijen. Dhe kjo duhet t’u ishte komunikuar kapitenit të anijes i cili në fund të fundit është përgjegjës për lundrimin e sigurt të anijes. Pra, kjo përgjegjësi bie mbi kapitenin e anijes. Ndoshta duhet të inspektojmë më shpesh, më thellësisht. Por nëse nuk keni njerëz, nuk keni burime, nuk keni kohë atëherë kjo ngjarje do të kalojë si aksidentale.”
Dali me flamurin e Singaporit, një anije me kontejnerë me gjatësi sa tre fusha futbolli, kishte raportuar avari në motorr pak para përplasjes, duke u thënë autoriteteve se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u ndalur. Kjo tragjedi sipas ekspertëve duhet të nxisë inspektime më të shpeshta të anijeve gjithnjë e më masive që dërgojnë mallra në mbarë botën.
Zyrtarët thonë se shembja e urës në një port kyç mund të përbëjë një rrezik për zinxhirët globalë të furnizimit dhe ekonominë amerikane ku rreth 8,000 vende pune mund të preken dhe në vijim efektet negative të shembjes do të përkthehen në një krizë globale, ku humbjet në ditë do të jenë rreth 15 milion Dollarë derisa porti të rihapet.
Klan News