Rritet sërish tensioni në Lindjen e Mesme pas rrëzimit të një avioni luftarak të ushtrisë izraelite, pas një sulmi të mundshëm nga forcat e regjimit sirian. Dy pilotët e avionit të rrëzuar arritën të dilnin nga mjeti, por njëri prej tyre mbeti i plagosur rëndë.
Izraeli njoftoi ndërmarrjen e një vale sulmesh nga ajri, kundrejt bazave siriane dhe atyre iraniane, pranë kufirit me Sirinë. Kjo lëvizje erdhi si kundërpërgjigje ndaj një droni spiun të lëshuar nga Irani në territorin izraelit, i cili u kap nga forcat vendase.
12 objektiva sirianë dhe iranianë u shënjestruan nga avionët izraelitë, çka solli edhe kundërpërgjigjen e ushtrisë siriane. Regjimi i presidentit Bashar al-Assad akuzon Izraelin për agresion, tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve.
Fushata e sulmeve ajrore nga Izraeli janë të zakonshme në bazat e terroristëve në Siri e më gjerë në rajon, por kjo është hera e parë që një avion i tyre rrëzohet dhe që autoritetet izraelite pranojnë hapur se kanë shënjestruar bazat iraniane të vendosura në jug të Sirisë, në ndihmë të regjimit të Bashar al-Assad.
Tv Klan