Lajme Arkiva 2003
Me 74 vota kundër është rrëzuar dekreti i presidentit Moisiu për emërimin e Marko Bellos, në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme. 64 vota janë shënuar pro, 58 kundër dhe 16 abstenime. Ky votim ka konfirmuar se kryeministri Nano nuk ka më mazhorancë në parlament.
Ndryshe nga ajo që paralajmërohej në Pogradec dhe fakti i vizitës në Romë ku kryeministri Nano së bashku me zotin Bello e prezantoi atë atje si Ministër të Punëve të Jashtme ende i padekretuar nga parlamenti shqiptar, votimi më i fundit në këtë parlament tregoi të kundërtën.
Servet Pëllumbi: Mbyllet votimi 49 vota pro dhe 15 ministra bëjnë 64 vota, 58 vota jo, 16 abstenime, nuk miratohet dekreti i presidentit.
Ndërsa kandidatja për zëvendës kryeministre dhe ministre integrimi Ermelinda Meksi ka marrë shumicën e votave në parlament për këtë post. 74 kanë votuar pro, 55 kundër dhe 8 abstenime. Pas këtij votimi lideri Berisha kërkoi një qeveri të re.
Sali Berisha: Fatos Nano nuk legjimitetin për të krijuar qeveri tjetër. I bëj thirrje të paraqesë dorëheqjen si akti më minimal i përgjegjësisë së një politikani. Sot zoti Nano, u fluturoi për në Itali për të paraqitur ministër atë që nuk ishte ministër, prej 3 ditësh ka ushtruar format më vulgare më primitive të presionit ndaj parlamentarëve. Ka rikthyer në skenën politike shqiptare primitivizmin më të thellë politik, amoralitetim total politik, duke përdorur kulaçin dhe kurbaçin, ryshfetin dhe korruptimin dhe kjo është përgjigjja ky është leksioni që parlamenti i jep padrinos. Ky votim është historik. Nuk është votim kundër Bellos, është votim kundër Fatos Nanos.
Kryeministri Nano ka evituar komentet për rezultatin dhe goditjen që mori duke ju referuar vetëm Berishës.
Servet Pëllumbi: Ju lutem nuk ka nevojë për duartrokitje. Zoti kryeministër, replikë.
Fatos Nano: Saliu po ikën.
Servet Pëllumbi: Keni edhe rezolutën tuaj për të votuar. Mos ikni.
Fatos Nano: Dua gjithashtu të respektoj votën për dekretin që nuk kaloi dhe dua të garantoj mazhorancën dhe kuvendin që analiza e saj do të jetë shumë e përgjegjshme dhe racionale. Ndërkaq nuk mund të mos garantoj dhe zotin Berisha se kjo mazhorancë do të konfirmohet deri në 2005, do të konfirmohet në zgjedhjet e 2003 dhe për shkak se zoti Berisha është i njëjti personazh i pandryshuar i një opozite të pandryshuar do të ekzistojë dhe do të theksohet edhe në zgjedhjet e 2005.
Sipas një precedenti të ndodhur 2 vite më parë ku tre ministrat e kabinetit Meta dhanë dorëheqjen Gjykata Kushtetuese bëri interpretimin si pas të cilit ish ministrat mbeten në detyrë deri sa të dekretoheshin nga parlamenti ministrat e rinj.
Ata do të qëndronin në këtë detyrë pa afat. Nga votimi rezulton se diferenca e miratimit të Ermelinda Meksit dhe rënies Marko Bellos, dy kandidatët e porpozuar njëra si zëvendës kryeministre dhe Ministre e Integrimit, si dhe Marko Bello si Ministër i Punëve të Jashtme kanë pasur një diferencë prej 10 votash./tvklan.al