Biletat për udhëtimet me avion jashtë vendit janë rritur me 4 deri në 5 euro për çdo segment fluturimi. Vendimi i kompanive kombëtare ajrore për rritjen e çmimit ka rënduar dhe në xhepat e shqiptarëve gjatë javëve të fundit. Kshtu kompanitë ajrore si: “Austrian Airlines”, “Malev” dhe “Adria” kanë aplikuar rritjen e çmimit për të gjitha fluturimet përfshirë dhe ato me destinacion apo pikënisje Tiranën. Një pjesë e këtyre kompanive e kanë marrë vendimin për shtrenjtimin e biletës vetëm ditët e fundit.

Ndërkohë që “Alitalia” dhe “Albanian Airlines” nuk kanë aplikuar ende rritje të çmimeve për fluturimet. Shtrenjtimi i fluturimeve ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare si dhe rritjes së kostos për nivelin e sigurisë së avionëve pas alarmeve për sulme terroriste.

Rritje të shpenzimeve për fluturimet kanë pasur për rrjedhojë emigrantët që kanë vizituar Shqipërinë në sezonin e verës si dhe të tjerë që kanë fluturar për qëllime turistike. Gjatë zhvillimit të lojrave olimpike udhëtimet drejt Greqisë kanë njohur kulmin e rritjes së kostove për biletat deri në 20 euro për fluturim. Sipas informacioneve zyrtare të Institutit të Statistikave, në vend kryhen mesatarisht 500 fluturime në muaj. /tvklan.al