Çmimi i naftës në tregun vendas pritet të arrijë në 95 lek për litër nëse kriza botërore e naftës do të shënojë kulme të reja.
“Tani po patën rritje çmimet e tregut botëror, po vajtën në Amerikë nga 44-50, në Evropë nga 42-45, do, s’do, do të rritet, edhe mbi 90, 92, 93, 96, 95.”
Sipas importuesve, çimimi naftës gjatë muajit gusht është ndikuar dhe nga forcimi i dollarit ndaj lekut. Importuesit e naftës insistojnë se rritja e çmimit nuk është abuzive.
“Shpeshherë thuhet që spekulim, jo spekulim. Në qoftë se unë më përpara për një anije naftë dy mijëshe mund të harxhoja 600 000 euro dhe e kisha normën, flas si tregtar i këtij biznesi, e shumicës 2-3 lek, normën e fitimit, tani shkon një milionë euro. Po këtë normë kam, nuk kam tentuar si biznes vendas të shfrytëzoj konjokturën në ngritje, të rris normën e fitimit për njësi.”
Kompania shtetërore e naftës “ARMO” ka shënuar gjithashtu rritje të çmimit të naftës së prodhuar në vend. Ministria e Industrisë nuk pranon të bëjë asnjë koment mbi lëvizjet e tregut të naftës, madje as për kompaninë e naftës 100% pronë shtetërore. Importuesit e naftës kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, konkretisht ulje të akcizës, e cila përllogaritet në përqindje për të zbutur efektet e çmimit të lartë të naftës. Ministria e Financave nuk ka shfaqur deri tani asnjë vullnet për të ndryshuar këtë nivel takse, ndërkohë që rritja e çmimit të naftës pritet të transmetohet në rritjen e inflacionit.
Në tregjet botërore tensioni në lidhje me krizën e naftës mbetet i lartë, sidomos duke pasur parasysh referendumin që do të zhvillohet në fundjavë në Venezuelë, një ndër 5 eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Tashmë edhe ndërhyrja në treg e kartelit OPEC, me rritjen e prodhimit, duket se nuk do të realizohet deri në shtator, gjë që e rëndon situatën e krizës globale të energjisë për muajin gusht. /tvklan.al