Shqiptarët kanë rritur ndjeshëm interesin për makinat elektrike. Në harkun kohor të 5 viteve, numri i mjeteve 100% elektrike është më shumë se 50-fishuar. Një rritje e tillë reflektohet edhe rrugëve të Tiranës, ku gjithmonë e më shpesh po shohim stacione karikimi.
“Tendenca është pozitive edhe në tremujorin e parë të vitit 2024, sipas të dhënave të DPSHTRR, nga janari deri në mars janë regjistruar 632 mjete 100% elektrike, 96% më shumë sesa në vitin 2023”, raporton gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.
Numri aktiv i mjeteve të tilla miqësore me mjedisin, si pjesë e rëndësishme e tranzicionit të energjisë drejt emetimeve zero ka arritur në 3 950, duke zënë kështu 0.4 përqind të totalit të flotës së mjeteve në vend.
Për këtë vit, shumica e makinave me bateri janë autovetura, pasuar nga motorët dhe automjetet për transport të përzier. Në vendet e Bashkimit Europian numri i makinave elektrike të pasagjerëve me bateri arriti në 3 milion në vitin 2022, që është një rritje me 55% krahasuar me 2021-in. Përqindjen më të lartë të mjeteve me bateri në raport me totalin e ka Norvegjia, pasuar nga Holanda dhe Danimarka.
Tv Klan