ISHSH: 75% e të punësuarve janë të pajisur me dy doza
Kontrolli për përmbushjen e detyrimit për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit me dy doza për administratën shtetërore, dhe punonjësit e subjekteve private që ofrojnë shërbime për qytetarët vazhdon çdo ditë në teren.
Televizioni Klan ndoqi një prej inspektimeve të kryer nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ku dhe doli në pah se në disa institucione vaksinimet janë rritur nga dy javë më parë.
Që prej 4 Janarit inspektorati ka monitoruar 893 institucione publike dhe 444 markete. Mbi 75 përqind e punonjësve tashmë janë vaksinuara ndërsa pjesa tjetër janë të pajisur me certifikatë shërimi dhe test PCR.
Ndërkohë në pikat e vaksinimit po vijohet ende me aplikimin e dozave të vaksinës. Në të gjitha poliklinikat e Tiranës kryhen mesatarisht 100 deri 150 doza të vaksinave anti-Covid. Ndërkohë në total në të gjithë vendin mesatarisht janë kryer deri në 5 mijë vaksinime në 24 orë.
Prej 4 Janarit vaksinimi anti-Covid është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e administratës, por edhe punonjësit e sektorit privat që ofrojnë shërbime publike.