Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Çmimi i naftës mund të pësojë rritje brenda javës me 8 lekë/L pas rekordeve të shënuara në tregjet ndërkombëtare. Importuesit shprehen se edhe çmimi i gazit të lëngshëm është i ekspozuar ndaj një rritje më të moderuar të çmimit gjatë dimrit.
“Për naftën unë mendoj që do ketë një rritje shumë të shpejtë edhe në vendin tonë 5-8 lekë. Në këto 10 ditë ose 15 ditë që ka pasur rritje dhe ka ardhur në rekord, biznesi vendas nuk e ka trazuar çmimin, ka rënë në ato nivele duke shfrytëzuar rezervat që ka pasur. Vazhdimi i kësaj i mëtejshëm, qoftë në këtë çmim që është sot statutkuo pa rritje, prapë e bënë të detyrueshme që të jetë rritje e çmimit të naftës. Janë dy çmime gazi, të verës dhe të dimrit. Mendoj se do të ketë një çmim të ri, por ritmet e rritjes nuk do të jenë ato të rritjes së naftës.”
Gazi i lëngshëm në tregjet vendase është më i mbrojtur ndaj rritjes së çmimit, si pasojë e heqjes së akcizës në korrik të vitit të kaluar. Gjithashtu importuesit e gazit, në ndryshim nga ato të naftës, operojnë me kontrata mujore dhe kanë kapacitete rezervuese më të larta. Tregjet ndërkombëtare të naftës, prej afro një jave kanë njohur nivele rekord të çmimit prej afro 50 dollarësh për fuçi pas krizës së Nigerisë.
Kjo rritje çmimi sipas importuesve do të transmetohet në tregun vendas brenda pak ditësh pas mbarimit të rezervave dhe furnizimit me naftë me çmim më të lartë. Përdorimi i naftës në tregun vendas dominohet nga importet me afro 70% të konsumit të përgjithshëm./tvklan.al