Aeroporti i Tiranës është kthyer në aeroportin më të madh në Ballkanin Perëndimor duke ja kaluar edhe atij të Beogradit që mbante stafetën për vite me radhë, sa i përket numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve.
Administratori italian i aeroportit të Tiranës, Pier Vittorio Farabbi, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ka shpjeguar përse ka ndodhur kjo rritje e fluturimeve dhe sa parashikohet të shkojë gjatë muajve të Verës kur do të jetë dhe piku i turizmit.
Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh? Nuk kam parë ndonjëherë një numër kaq të lartë avionësh të parkuara këtu si ditën e sotme.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Mendoj se Evropa krejt pa pritur kuptoi se Shqipëria ndodhet në hartë. Të gjithë duan të vijnë këtu. Nëse do të kishim më shumë hapësirë do të shikonim po ashtu më shumë avionë.
Blendi Fevziu: Pra kjo do të thotë që nëse do të kishit më shumë kapacitet do të kishit më shumë fluturime dhe më shumë njerëz duke ardhur në Tiranë.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Dhe mbi këtë jemi duke punuar në fakt. Do të shikojmë vonë…
Blendi Fevziu: Sa pasagjerë kishit vitin e kaluar?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Vitin e kaluar e mbyllëm me 7.3 milion ndërsa ditën e djeshme ne tejkaluam 3 milionshin. Kemi 50% më shumë pasagjerë në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Blendi Fevziu: 50% më shumë! Kjo do të thotë se mund të kemi më shumë s e10 milionë pasagjerë këtë vit.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Inshalla!
Blendi Fevziu: Inshalla! Dhe në Qershor, Korrik dhe Gusht pritet të kemi ngarkesën më të madhe.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Këto janë muajt më të ngarkuar dhe mendoj që këtë vit për herë të parë në historinë tonë do të kemi më shumë se 1 milionë pasagjerë brenda një muaj.
Blendi Fevziu: 1 milion pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Është e vërtetë Piervittorio. Isha duke diskutuar me kreun e policisë i cili po më thoshte se edhe aeroporti i Tiranës është duke u kthyer si një aeroport rajonal. Që do të thotë se edhe njerëz nga Kosova dhe Maqedonia, jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë,
Administratori i aeroportit të Rinasit: Nga Mali i Zi.
Blendi Fevziu: Mali i Zi, por maqedonas dhe malazezë fluturojnë nga Tirana?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Edhe nga veriu i Greqisë.
Blendi Fevziu: Edhe nga veriu i Greqisë?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Po.
Blendi Fevziu: Pse? Pse njerëzit nga veriu i Greqisë, nga Janina për shembull, do të vijë në Tiranë?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Sepse ndryshe nga shumë aeroporte të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ne kemi fluturime direkte në më shumë se 100 destinacione gjatë gjithë vitit.
Blendi Fevziu: 100 destinacione nga Tirana!
Administratori i aeroportit të Rinasit: Po, po.
Blendi Fevziu: 100 destinacione!
Administratori i aeroportit të Rinasit: Po. Jemi duke rritur…
Blendi Fevziu: Një e treta e Turkish Airlines dhe ato janë një kompani ajrore me diku te 304 destinacione, dhe janë të parët në botë.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Jemi duke u rritur. Të gjithë duan të vijnë. Ne kemi pritur Iberia-n, AirBaltic nga Riga, Iberia-n po ashtu për Madridin. Croatian Airlines do të nisi se shpejti fluturime me Zagrebin. Të gjithë duan të shtojnë fluturime në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Sa kompani të ndryshme keni?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Tanimë kemi më shumë se 30 kompani të ndryshme ajrore.
Blendi Fevziu: 30 kompani të ndryshme.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Por sigurisht që janë disa…
Blendi Fevziu: WizzAir dhe RyanAir janë kompanitë kryesore.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Janë kompanitë kryesoret këtu. Sidomos WizzAir-i që ka më shumë se 12 avionë që qëndrojnë këtu.
Blendi Fevziu: Por pse e zgjedhin njerëzit si destinacion? Pse njerëz nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga veriu i Greqisë do të vendosin të fluturojnë nga Tirana?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Ofrohet komoditeti i aeroportit. Është fakt që deri më sot ky nuk është një aeroport i vështirë për tu naviguar. Brenda pak minutash, dhe e dini që ju e keni përdorur shumë, brenda pak minutash shkon nga kontrolli i sigurisë, kalon te embarkimi, dhe je gati për tu nisur. Pra, kjo është pjesa e rehatisë. Por po ashtu fluturimet, numri i destinacioneve direkte, pa u lidhur me aeroporte të tjera për shembull, siç ndodh me ofertat nga kompanitë “low cost” të cilat janë të përballueshme nga të gjithë. Mund të vendosni që sot të pini një kafe në Venecia, shkoni dhe ktheheni. Doni të shkoni në Londër.
Blendi Fevziu: Keni fluturime dy herë në ditë… ose edhe më shumë.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Në disa destinacione kemi më shumë se 3-4 fluturime në ditë. Mund të doni të shkoni në Londër, shkoni në Londër, hani patate dhe peshk të skuqur dhe më pas ktheheni brenda ditës. Edhe punonjësit e mijë, mund të duan të kalojnë një ditë me familjen e thonë se do shkoj në Bolonia, do ha një pjatë makarona, e do të kthehem në darkë.
Blendi Fevziu: Por, Piervittorio, është i jashtëzakonshëm kujtimi që kam. Kur unë udhëtova për herë të parë në 1991 kishte vetëm 3 fluturime në javë. Ishte Alitalia, Avianova që operonte në atë kohë për Alitalia një herë në javë, ishte Maleb një herë në javë dhe Taron nga një Rumania një herë në javë. Më pas erdhi Swiss Air e më vonë u bën 4 kompani ajrore. Pse kemi gjithë këtë rritje?
Administratori i aeroportit të Rinasit: Mendoni se në verë, në pikun e fluksit do të kemi 250 fluturime në ditë.
Blendi Fevziu: Sa?
Administratori i aeroportit të Rinasit: 250! Jo në javë por në ditë. Do të ketë më shumë se 1500 në javë. Pra do të kemi më shumë 1500 fluturime në javë këtë verë.
Blendi Fevziu: 1500 fluturime në javë.
Administratori i aeroportit të Rinasit: Sot ishim duke folur me disa kolegë nga një kompani ajrore për çështje të performancës dhe sigurisë, pra nuk ishte për çështje tregtie dhe ata po më thoshin që kanë një vajzë në këtë shtet, një djalë në këtë shtet tjetër dhe në të gjitha këto vendet e Evropës dhe përtej, të gjithë flasin për Shqipërinë. Edhe në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara flitet për Shqipërinë e cila po bëhet në një pikë të nxehtë në Evropë.
/tvklan.al