Zana Çela – Drejtore e Pergjithshme e TKOBAP
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është drejt hapave të fundit të rikonstruksionit. Por ajo çfarë është më e veçanta është se për herë të parë, në gjithë historinë e tij, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit hap sezonin artistik në Sheshin “Skënderbej”.
Më 20 dhe 21 Shtator në orën 19:30, TKOB shfaq dy Grand Gala nën titullin “Opera Open Countdown” me pjesët më të bukura operistike të baletit, ku do të marrin pjesë mbi 200 artistë të Operas, por dhe të ftuar si Kamela Islamaj, Eugent Bushpepa, Vikena Kamenica e të tjerë.
“Ne i ftojmë të gjithë të marrin pjesë sepse këto dy koncerte janë ideuar enkas për pjesëmarrje të gjerë. Mesazhi që ne duam të japim është që Opera dhe Baleti i takon të gjithëve, pavarësisht moshës apo edukimit që kanë në jetën e tyre”.
“Do të ketë pjesë solistike, korale, melodi të ndryshme, fragmente baleti dhe të gjitha këto janë një montazh nga shfaqjet më të mira që ne kemi prodhuar në dy vitet e fundit. Do të marrin pjesë solistët kryesorë të Teatrit të Operas dhe Baletit, si Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj, solistët e rinj si Simona Karafili, Renisa Lacka, Nina Muho, etj”.
“Por si për ta nënvizuar më shumë faktin që muzika operistike i takon të gjithëve ne, kemi ftuar edhe dy këngëtarë shumë simbolikë të pop rrokut si Kamela Islamaj dhe Eugent Bushpepa, të cilët do të ndajnë me artistët tanë arie shumë të bukura”.
“Për natën e dytë kemi kornizuar një koncept tjetër koncerti, vetëm me këngë, klasike dhe folk për t’iu afruar më shumë audiencave tona. Njëkohësisht atë natë do të kemi një moment që do ia kushtojmë vetëm Merita Halilit”.
“Është hera e parë që të hapet një sezon në shesh. Shumë shpejt ne do të hyjmë në godinën tonë për të zhvilluar provat dhe punën tonë. Skena do të jetë gati në brenda dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Por muaj pas muaji ne do të jemi në shesh”, tha Çela./tvklan.al
Spiro Duni – Regjisor
Doriana Çaushi – Aktore
Margent Caushi – Aktorë
Një komedi shumë interesante do të hapë Festivalin “De Fest Apolonia”, në qytetin e Fierit. Bëhet fjalë pikërisht për shfaqjen “Këngëtarja Tullace”, një komedi që është vënë edhe më herët në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Spiro Duni, por ajo do të rivihet si premiere në këtë festival pasi koncepti, realizimi dhe aktorët janë të ndryshëm.
“Këngëtarja Tullace” është një komedi me plot humor, por që në fund të bën të reflektosh në lidhje me mesazhet që reflekton. Komedia ndërtohet në 11 skena dhe ka të bëjë me 6 personazhe. Zoti dhe zonja Smith të zotët e shtëpisë, zoti dhe zonja Martin mysafirët e tyre, Maria shërbëtorja e shtëpisë dhe zjarrfikësi. Gjashtë personazhet e “Këngëtares tullace” interpretohen nga Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Astrit Hasani, Flaura Kureta, Margent Caushi dhe Doriana Çaushi.
Për të folur për këtë shfaqje por edhe për festivalin që organizohet në Fier ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan regjisori Spiro Duni dhe aktorët Doriana Çaushi dhe Margent Caushi.
“Është hera e dytë që unë punoj me trupën e Fierit, kam punuar para tre vitesh një komedi të Vangjel Kozmait “Horoskopi Babilonas”, pati sukses, u prit shumë mirë. Është një spektator i ngrohtë, shumë i ngrohtë, por mbi të gjitha është ky grup aktorësh super profesionistë në mentalitet dhe talent. Është një festival që do të zgjasë 6 ditë. Shfaqja që unë kisha ndërtuar para 10 vjetësh, me mjeshtrin Roland Trebicka, Bujar Asqeriun dhe të tjerë ishte tjetër gjë drejt absurdit”, tha Duni.
“Në fillim kur mora veprën nuk e kuptova, thash çfarë po ndodh këtu. Edhe rolin që kam, zjarrfikësin e konceptova ndryshe, por profesori ma solli komplet ndryshe dhe më pëlqeu shumë. E ka sjellë në disa ujëra që s’ma merrte mendja kurrë, këtu qëndron edhe mjeshtëria e Spiro Dunit”, tha Caushi.
“Për mua është projekti i tretë që punoj me Spiro Dunin, është fat të jesh pranë tij sepse ne kemi nevojë të mësojmë nga më të rriturit. Unë jam Meri në këtë shfaqje, shërbëtorja, por vetëm shërbëtore nuk jam, jam e paskrupullt”, tha Çaushi./tvklan.al
Dr.Andrea Palmieri – Mjek ORL-së, në Spitali Amerikan 3