Merita Xhani – Aktore
Dashuria dhe pasioni për aktrimin kanë lindur bashkë me të. Aktorja Merita Xhani e ka nisur karrierën përgjatë viteve 80-të dhe ka interpretuar në disa shfaqje në Teatrin e Durrësit.
Por në vitin ’90, pak para përmbysjes së komunizmit, asaj iu desh të largohej në Itali sëbashku me familjen. Pasioni dhe dëshira për teatrin e filmin, por edhe vendosmëria për t’ia dalë, bëri që Merita Xhani të arrijë të ndërtojë një karrierë në këtë vend.
Në aktivitetin e saj në Itali, rolet më të rëndësishme të saj janë në shfaqjen “Edipi Mbret”. Kjo ishte edhe shfaqja e parë që i hapi dyert e suksesit në Itali. Më pas ajo ka luajtuar në disa shfaqje dhe filma të tjerë, ku mund të përmendim“Est-Ovest” dhe “Maria Jose”, në rolin e mbretëreshës të Italisë.
Pas 20 vitesh mungesë, aktorja Merita Xhani rikthehet në jetën artistike në Shqipëri përmes shfaqjes “Gusht: Portret familjar”, në rolin e aktores kryesore, Violeta Ueston.
Sot aktorja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku tha se rikthimi i saj në skenën shqiptare ka qenë për të një ëndërr e parealizuar deri në momentin kur mori telefonatën e regjisorit Spiro Duni.
“Kthimi është gjithmonë i thjeshtë dhe pa të papritura sepse duhet marrë parasysh që unë jam larguar në moshë të madhe. Ndjesitë e mia, skena dhe teatri ishin brenda meje dhe unë i rigjeta përsëri me thjeshtësinë time dhe dashamirësinë e tyre. Puna e teatrit kudo që të shkosh është sikur të kthehesh në shtëpi, sepse kanë gjëra të përbashkëta. Unë kam shumë dëshirë të rri në Tiranë, në vendin tim, sepse ka qenë dëshirë e imja e parealizuar. Pati një moment shumë të vogël që të realizohej, ishte telefonata e Spiro Dunit. Gjatë provave kam patur më shumë hallin e atij mos thoshte: O bo bo sa gabim kam bërë”, tha Duni.
Zana Çela – Drejtoreshën e Përgjitshme të Teatrit të Operas dhe Baletit
Premiera operistike “La Boheme” do të çelë sezonin e ri të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ky produksion madhor që shënon kulmin e angazhimit të krijuesve dhe artistëve të rinj do të vihet në skenë në datat 16, 17, 18 dhe 19 Mars në orën 19:00. Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Drejtoresha e Përgjithshme të TKOB, Zana Çela.
Çela tha se ky produksion shënon kulmin e angazhimit të krijuesve dhe artistëve të rinj, të angazhuar në një produksion operistik, ndaj edhe kanë menduar t’ia kushtojmë premierën e këtij, gjeneratës së re.
“Ne zgjodhëm të startonim me një premierë operistike dhe ia dedikuam premierën titullit “La Boheme” të Puçinit, sepse këtë vepër ia ka kushtuar artit dhe gjeneratës së re të artistëve. Dhe ne menduam t’ia kushtojmë premierën e këtij sezoni gjeneratës së re, sepse 90% e artistëve janë të rinj. Ky do të jetë vërtetë produksioni i gjeneratës së re. “La Boheme” flet për jetën e artistëve boheme në një nga lagjet e Parisit. Atje jetonin 3 artistë dhe 1 filozof, ku mes tyre ishte edhe roli kryesor, Rudolfo, që ishte poet. Afër tyre ndodheshin edhe dy vajza të bukura, të cilat bien në dashuri me të. Është një ngjarje e thjeshtë e jetës së përditshme që kalon përmes dramës dhe romancës. Kjo opera është shfaqur për herë të parë më 1 Shkurt të vitit 1896 në Teatrin e Parmës”, tha Çela.
Kozeta Mustafaraj – Mjeke Obstetër Gjinekologe