Të ftuar:
Valentina Tarashaj – Dizanjere mode dhe mësuese në Shkollën e mesme teknike, Prizren
Mahmut Tarashaj – Punon ne nje kioske si shites ambulant
Valentina dhe Mahmuti janë rasti tipik i dashurisë së vërtetë dhe të pakushtëzuar. Ata janë njohur sëbashku krejt rastësisht 4 vite më parë dhe mesa duket fati kishte rezervuar që zemrat e tyre të bashkoheshin përgjithmonë.
Çifti ishte sot i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfyen historinë e tyre të dashurisë.
Valentina kujtoi takimin e parë me Mahmutin dhe tregoi se mendimet e të tjerëve nuk e kanë ndikuar pasi është shumë e lumtur me të.
“Ne jemi martuar në Korrik të këtij viti, por kemi qëndruar të lidhur 2 vite. Tek Mahmuti më pëlqeu gjallëria e tij, ishte shumë i veçantë, i gjallë dhe me sens humori. U bëra kureshtare dhe doja të rrija më shumë me të. Shumë njerëz të afërt më kanë thënë ta mendoj më shumë para se të vendos, por unë isha shumë e lumtur me Mahmutin dhe mendimet e të tjerëve nuk më kanë bërë shumë përshtypje”, tha Valentina.
Ndërkohë Mahmuti tregoi më tepër për aksidentin që e la atë në karrigen me rrota.
“Aksidenti më ka ndodhur 9 vite më parë, më 25 Gusht 2009. Kisha ardhur me pushime me familjen në Shqipëri dhe aty më ka ndodhur aksidenti. Aksidenti im ka qenë fat dhe fatkeqësi, sepse nga aksidenti unë kam humbur lëvizjet e trupit, por jo vetëdijen. Ne kishim marë varkë dhe dolëm në det, unë mendova se ishte thëllë aty ku ishim dhe jam hedhur me kokë dhe jam përplasur me rërën, por jo me forcë. Nga goditja kam lënduar unazën e 5-të në qafë dhe nga ai moment më janë prerë lëvizjet e trupit. Ka ardhur ambulanca dhe më ka dërguar në spital. Kur isha në Reanimacion mjekët më thanë se duhet të qëndroja aty 72 orë aty sepse jeta ime ishte ende në rrezik. Nëse kalonin 72 orë atëherë do t’i mbijetoja vdekjes dhe më pas më prisnin sfida të tjera në jetë. Një javë më vonë jam operuar dhe pas operacionit mjeku më tha se do bëhesha mirë. Lajmin se nuk do të ecja më nuk ma thanë direkt. Pas një viti që bëja terapi e kuptova se gjendja ime ishte e rëndë se diri në ato kohë mendoja se do përmirësohesha. Pas një viti përmirësimet ishin shumë të ngadalta dhe aty e kuptova se jeta ishte ndryshe nga ç’e mendoja unë”, tregoi Mahmuti.
Ai tregoi po ashtu momente nga takimi i parë me Valentin dhe se çfarë e tërhoqi atë tek ai.
“Tek Valentina më ka pëlqyer fakti se ishte shumë inteligjente, e qetë dhe feminile dhe isha kureshtarë ta njihja. Pas shumë bisedave vendosëm të takoheshim për herë të dytë, të tretë dhe kështu me radhë”, shtoi ai.
Xhesika Polo – Këngëtare
Xhesika Polo është ndër këngëtaret shqiptare më pa komplekse. Ajo është treguar gjithnjë e hapur përpra publikut dhe ka rrëfyer mbi jetën e saj.
Sot e ftuar sot në studion e “Rudina”, në Tv Klan, këngëtarja tregoi për ndërhyrjen estetike që ka kryer në pjesën e belit për heqjen e dhjamit të tepërt.
“Unë kisha kohë që mendoja të realizoja këtë ndërhyrje, por më mungonte iniciativa për ta bërë. Është pak e frikshme kur mendon që do hysh në një procedurë që do të ndryshojë komplet trupin dhe stilin e jetesës. Ndërhyrja ishte minimale, konstaton në futjen e disa shiringave, nuk jam prerë në lëkurë për të hequr pjesën e tepër dhjamore. Unë 4 ditë pas ndërhyrjes kam dalë në koncert, edhe pse mu desh të mbaja 4 javë një koncert dhe javët e plazhit i sakrifikova për një rezultat sa më të mirë. I kam ruajtur format e mia sepse nuk kam dashur të humb veten, sepse ato më identifikojnë. Tek krahët nuk kam ndërhyrë akoma, do ta bëj me ecje këtë pjesë. Unë nuk e kam patur kompleks mbipeshën, nuk më ka ndikuar në karrierë, por unë e mora këtë vendim sepse e ndjeja që kishte ardhur koha për një ndryshim dhe për stilin e jetesës. E mendova si një motiv për ta mbajtur këtë fizik. Kam filluar palestrën dhe kam hequr dorë nga këto kënaqësitë “mëkatare” dhe tashmë ndihem edhe më kofidente kur dal në skenë”, tha Polo.
Stela Sallaku – Stiliste
Pak nga pak po bëhemi gati për të ndërruar garderobën tonë. Temperaturat do të fillojnë të freskohen dhe do të duhet të vishemi pak më trashë. Ngjyrat e vjeshtës klasike dihet se cilat janë, por çfarë na sugjerojnë stilistët dhe dizenjatorët e modës?
Stilistja Stela Sallaku tregoi më tepër për tendencat e vjeshtës përmes emisionit “Rudina”, në Tv Klan.
“Elementët e rinj të këtij sezoni kanë të bëjnë me ngjyrën kafe dhe nuancat e tjera të tokës. Në ndryshim nga vitet e tjera, këtë vit janë komplet avangard dhe më novatore. Këto ngjyra mund t’i veshim nga mëngjesi deri në darkë duke u përpjekur të ndryshojmë vetëm aksesorët. Ngjyra kafe është një nga nuancat që do të na shoqërojë duke filluar nga materialet e leshta e deri te palltot.
Aksesorët po ashtu këtë vit kanë ndryshuar nga ato të vitit të kaluar. Një nga ato që do të marë vëmendje të madhe është rripi zinxhir i belit, i cili mund të jetë me shtresa. Një tjetër detaj është edhe tartani, si një nga copat më të preferuara të vajzave skandinave. Mos kini frikë të eksperimentoni këtë sezon, por mos i hiqni pikat nga gardëroba”, tha stilistja.