Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prishtinë. Nga kryeqyteti i Kosovës, kryeministri Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp me kryekomunarin e Prishtinës, Përparim Rama. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur i kënaqur që i është dhënë mundësia që të vizitonte Komunën e Prishtinës.

Në kujtim të liderit Ibrahim Rugova, Rama thotë se ai u bë pjesë e barabartë e një ekipi që përfaqësonte të gjithë politikën në Kosovë dhe ai ekip përballoi me sukses disa raunde të lidhura me historinë e re të Kosovës. Rama shpreh keqardhjen që sipas tij, për fat të keq, politika e jashtme është bërë politikë e brendshme.

Edi Rama: Kënaqësi që m’u dha mundësia të vizitoja bashkinë dhe të ju vizitoja ju personalisht në zyrën tuaj. Më vjen shumë mirë që do të kthehem me çelësin e Prishtinës. Më vjen mirë që pasi jemi takuar në Ulqin verën e shkuar, shoh që kryetari është aq pasionant për të shtrirë përpara punët për qytetin, e gjej shumë të interesuar për të ndarë idetë dhe sfidat, gjë që është shumë pozitive sepse siç edhe ju e dini ka pasur kryeqytete me fatkeqësinë që kryetarët e bashkisë janë futur në zyra, kanë mbyllur derën dhe kanë fjetur gjumë 4 vjet, por Prishtina është e sigurtë në këtë aspekt nuk ka asnjë rrezik që Përparimi të dremisë dhe i uroj çdo të mirë që dëshiron për Prishtinën dhe qytetarët e Prishtinës.

Unë kam ardhur sot me ftesë për të marrë pjesë së bashku me kryeministrin e famshëm të Italisë, në një konferencë për Ibrahim Rugovën me rastin e 25-vjetorit dhe ka qenë me ne dhe një tjetër protagonist shumë i rëndësishëm i kësaj periudhe. Përparimi kishte kohë që më kishte ftuar dhe më tha që nuk mund të vish në Prishtinë pa kaluar në zyrën e Komunës dhe unë i thashë që natyrisht që jo dhe kjo ka qenë arsyeja. Ajo që ju pyetët ka qenë një reflektim për atë që ka qenë periudha më e sukesshme e Kosovës, ku Ibrahim Rugova, pavarësisht hijes që kishte dhe peshës që kishte, u bë pjesë e barabartë e një ekipi që përfaqësonte të gjithë politikën në Kosovë dhe ai ekip përballoi me sukses disa raunde të lidhura me historinë e re të Kosovës. Në atë sens, unë e kam thënë fjalën time duke shprehur keqardhjen që për fat të keq, politika e jashtme është bërë politikë e brendshme.


/tvklan.al