Bilanci i maxhorancës në katër vitet e qeverisjes së saj ka qenë në fokus të takimit që Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, zhvilloi me banorë të qytetit të Përmetit. Anëtarësimi në NATO, kursi i reformave, ulja e varfërisë por dhe kthimi i Shqipërisë në një prej vendeve më atraktive për investimet e huaja janë disa nga arritjet për të cilat kjo qeveri del ballë hapur përballë elektoratit u shpreh Ruli në fjalën e tij. Sipas ministrit të Ekonomisë përballë këtij standardi të vendosur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, retorika e kryetarit socialist Edi Rama nuk mund t’i mashtrojë shqiptarët

Genc Ruli: “Këto rrugë të mëdhaja historike për nga vështirësia inxhinierike dhe për nga fondet që duan si …, si akset e tjera rrugore që po kalojnë nga afër Përmetit dhe afër Gjirokastrës e Tepelenës që akoma më afër do ta kemi këtë zonë me Tiranën dhe në të gjithë qytet kryesore të Shqipërisë. Këto po bëhen kryesisht të financuara me paratë e buxhetit shqiptarë”.

Deputeti demokrat Ilir Rusmali, i pranishëm në këtë takim deklaroi se në pak muaj kjo qeveri do të bëjë realitet lëvizjen e lirë të qytetarëve

Ilir Rusmali: “Filluam procesin e aplikimit për kartat e identitetit me një entuziazëm të pa diskutueshëm nga shqiptarët që e mirëpritën procesin, që vajtën të zinin radhë për të marrë kuponat, që kjo punë të kryhej shpejt dhe ditën e parë doli personalisht kryetari i opozitës dhe i pështyu këtij procesi duke thënë jo kjo nuk bën, unë se pranoj. Po pse, se kishte frikë nga zgjedhjet dhe i duhej një sebep për të shtyrë atë”.

Deputetët demokratë kanë renditur si prioritete të mandatit të dytë qeverisës të maxhorancës rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe përshpejtimin e proceseve integruese të vendit./tvklan.al