Mbrojtja ajrore ruse tha se zmbrapsi një sulm masiv me dronë ukrainas gjatë natës duke gdhirë e premtja.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se janë kapur 121 dronë që synonin 13 rajone, përfshirë Moskën, duke mos përmendur numrin e viktimave apo dëmeve që mund të shkaktonte.
Ministria tha se gjashtë dronë ishin shkatërruar mbi rajonin e Moskës dhe një mbi vetë kryeqytetin, ndërsa dronët e tjerë kishin shënjestruar rajone të tjera, duke përfshirë ato që kufizohen me Ukrainën dhe Kurskun, ku trupat ukrainase mbajnë një pjesë të tokës.
Njëzet dronë kishin shënjestruar gjithashtu rajonin Ryazan, në juglindje të Moskës. Përmes mesazheve në Telegram u publikuan pamje të flakëve të mëdha në qytet. Sipas të njëjtave burime lajmi një depo e magazinimit të naftës dhe një termocentral u goditët. Në pamje duken njerëzit që vrapojnë në panik, ndërsa tymi ngrihet në qiell.
Ekipet zjarrfikëse shuan flakët, ndërsa mbeturinat e dronit dëmtuan një shtëpi, sqaroi guvernatori i rajonit.
Në qytetin e Kursk, sulmi gjatë natës kishte dëmtuar linjat e energjisë elektrike dhe kishte ndërprerë energjinë elektrike në një lagje të qytetit.
Ndërkaq Rusia sulmoi me dronë Ukrainën, duke vrarë tre civilë dhe duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe tregtare, thanë zyrtarët. Ministria e Brendshme ukrainase tha se mbetjet e dronit vranë dy burra dhe një grua në rajonin qendror të Kievit dhe se një person tjetër u plagos.
Ndërsa lufta i afrohet tre vjetorit, Rusia ka shtuar sulmet e saj ajrore në Ukrainë, duke dërguar dhjetëra drone pothuajse çdo natë.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse lëshuan më shumë se 7,000 dronë në vitin 2024, të paktën dy herë më shumë se në 2023. Shumica u rrëzuan, por shumë ende goditën objektivat e tyre. Ndërsa Moska mohon të ketë shënjestruar civilët.
Klan News